67 mjeke specializante po shkollohen e po punojnë pa asnjë cent.
Kjo për shkak se ato janë bërë nëna dhe e kanë shfrytëzuar pushimin e lehonisë.
Kurse, tani janë të obliguara t’i kompensojnë muajt e speclizimit me 0 euro, e madje as kujdestaritë 24 orëshe nuk u paguhen.
Lidhur me këtë temë, Klan Kosova ka realizuar edhe një kronikë.
Po ashtu, Klani ka marrë një përgjigje më të zgjeruar për këtë çështje.
“Specializantët, me rastin e pushimit të lehonisë, paguhen në përputhje me legjislacionin në fuqi, në masën 70% të pagës gjatë gjashtë (6) muajve të parë të pushimit. Pas përfundimit të kohës së paraparë të shkollimit specialistik, me qëllim të përmbushjes së plan-programit të shkollimit, u zgjatet periudha e shkollimit për aq kohë sa kanë qenë në pushim të lehonisë”, thuhet në përgjigjen e MSh-së për Klan Kosovën.
Tutje MSh-ja bën të ditur se Udhëzimi Administrativ për shkollimin specialistik është në fazën përfundimtare të finalizimit ( pas përmbylljes së konsultimeve publike).
“Në këtë udhëzim është paraparë që, për periudhën e vazhdimit të shkollimit specialistik si rezultat i pushimit të lehonisë, specializantët do të paguhen 100%”, thuhet tutje në përgjigje.
Derisa për pagën e 13-të, siç thotë Ministria e Shëndetësisë, planifikimi dhe ekzekutimi bëhet nga Thesari i Shtetit dhe një gjë e tillë është bërë edhe për punonjësit e Administratës.



