Netanyahu zhvillon vizitë sekrete në Emiratet e Bashkuara Arabe

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka zhvilluar një vizitë sekrete në Emiratet e Bashkuara Arabe gjatë luftës me Iranin, në një lëvizje që sinjalizon thellimin e bashkëpunimit politik dhe ushtarak mes dy vendeve.

Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu konfirmoi se ai kishte zhvilluar një takim sekret me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed, gjatë konfliktit me Iranin.

Sipas deklaratës zyrtare, takimi solli një ?përparim historik? në marrëdhëniet mes Izraelit dhe Emirateve. Reuters raportoi se takimi u mbajt në qytetin Al-Ain, pranë kufirit me Omanin, dhe zgjati disa orë.

Ndërkohë, ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, deklaroi se gjatë luftës Izraeli kishte dërguar sisteme të mbrojtjes ajrore “Iron Dome” apo “Mburoja e Hekurt” në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai tha se kjo ishte rezultat i “marrëdhënieve të jashtëzakonshme” mes dy vendeve, të ndërtuara mbi Marrëveshjet e Abrahamit. Gjatë konfliktit, Irani kishte sulmuar disa objektiva në Emirate me raketa dhe dronë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Emirateve, që nga fillimi i luftës në fund të shkurtit, mbrojtja ajrore kishte interceptuar qindra raketa balistike, raketa lundruese dhe mijëra dronë. Wall Street Journal raportoi gjithashtu se Emiratet kishin kryer sulme ndaj Iranit, përfshirë një rafineri në ishullin iranian Lavan, edhe pse Abu Dhabi nuk i ka konfirmuar publikisht këto operacione.

Megjithëse armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit është në fuqi prej rreth një muaji, tensionet vazhdojnë. Irani vazhdon bllokimin e Ngushticës së Hormuzit, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump e hodhi poshtë ofertën iraniane për përfundimin e luftës, duke e quajtur “krejtësisht të papranueshme”.

Kryetari i parlamentit iranian Mohammad Ghalibaf reagoi duke paralajmëruar se forcat iraniane janë “të gatshme të japin përgjigje ndaj çdo agresioni”.

Latest news
Related news