Nis seanca ndaj dy të dyshuarve për spiunazh Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të mbahet seanca gjyqësore ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët akuzohen për spiunazh.

Dy të dyshuarit tashmë janë sjellë në Gjykatë, transmeton Telegrafi.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 19 shkurt 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët i ngarkon se kanë mbledhur dhe dërguar informacione e dokumente tek BIA serbe lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, eprorët e pjesëtarët e saj, Policinë, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë e Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe për ngjarje e objekte specifike, përfshirë edhe një masakër.

Përmes këtyre veprimeve, PSRK thotë se synohej shkaktimi i një konflikti të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës, të krijohej një narrativë e pavërtetë që ta ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK-së për kinse trafikim organesh dhe të vë në dyshim të vërtetën e masakrës. /Telegrafi/

telegrafi.com

Latest news
Related news