Një provë shtyn verdiktin për Gllogjanin, gazetarja sjell detaje nga seanca (VIDEO)

Aktgjykimi ndaj Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetajt, të akuzuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit, është shtyrë pasi gjykata ka vendosur që rasti të rihapet për shqyrtim.

Nga Gjykata Themelore në Pejë ka raportuar gazetarja e Klan Kosova, Qëndresa Tërshani, e cila bëri të ditur se vendimi u shty për shkak të një prove të përmendur nga prokurorja Sahide Gashi në fjalën përfundimtare.

Bëhet fjalë për një video që prokuroria e ka paraqitur si provë ndaj Kreshnik Mehmetajt, i akuzuar për vrasjen e tre personave – shoferit të autobusit Gani Gjokaj dhe dy nxënësve që po udhëtonin nga Gjakova drejt Deçanit, më 26 nëntor të vitit 2021. Në këtë video, sipas prokurorisë, shihet i akuzuari duke gjuajtur me armë në një bjeshkë në Deçan. Megjithatë, gjykata ka vlerësuar se ekspertiza e armës dhe e disa predhave të gjetura në vendin ku është realizuar videoja nuk janë trajtuar dhe paraqitur gjatë procesit në atë mënyrë që të sqarohen të gjitha rrethanat. Për këtë arsye, gjykata ka vendosur që kjo provë të shqyrtohet edhe njëherë nga palët, para se të merret një vendim përfundimtar ndaj Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetajt”, tha Tërshani.

Rasti lidhet me ngjarjen e 26 nëntorit 2021, kur në Gllogjan të Deçanit u sulmua me armë zjarri një autobus, ku mbetën të vrarë shoferi Gani Gjokaj dhe dy nxënës./Klankosova.tv

 

Latest news
Related news