Gjendja në të cilën zyrtarët policorë elitarë punojnë e funksionojnë në kampin “Enver Zymeri” në Mitrovicë, pati një vëmendje të veçantë. Menjëherë pas bujës mediatike, atje zbarkuan inspektorët sanitarë.
Klan Kosova ka arritur të pranojë raportin e inspektimit të kryer në objektet e këtij kampi, përkatësisht në 6 objekte atje. Ky raport ka evidentuar një sërë mangësish në aspektin higjieno-sanitar dhe teknik. Objektet, të cilat menaxhohen nga Drejtoria për Menaxhimin e Objekteve Policore, janë inspektuar për kushtet e funksionimit dhe mirëmbajtjes, raporton Klankosova.tv.
Sipas raportit, gjatë inspektimit është konstatuar se disa hapësira kanë mungesë të mirëmbajtjes, me dëmtime të dukshme në nyjat sanitare dhe kabina, si dhe nivel jo të kënaqshëm të higjienës së përgjithshme. Po ashtu, në disa raste instalimet dhe pajisjet janë dëmtuar ose janë vetëm pjesërisht funksionale, ndërsa ventilimi dhe ndriçimi nuk i plotësojnë standardet e nevojshme.
Raporti më tej potencon se megjithëse në objekt ekzistojnë mjete higjienike, sasia e tyre nuk është e mjaftueshme për mirëmbajtje dhe pastrim të rregullt. Në nyjat sanitare janë siguruar detergjente dhe letër për tharjen e duarve. Inspektorët, sipas raportit që ka pranuar Klan Kosova, kanë lëshuar urdhëresa për përmirësimin e menjëhershëm të kushteve higjienike dhe teknike në hapësirat që nuk përmbushin kriteret, ndërsa në funksion janë lënë vetëm nyjat sanitare që i plotësojnë kushtet minimale.
Sipas vlerësimit final të raportit, disa hapësira s’i plotësojnë standardet e kërkuara higjieno-sanitare e teknike, andaj është rekomanduar edhe ndërhyrja urgjente dhe përmirësim brenda një afati 30 ditor.
Ndërkohë, gjendje më e mirë është evidentuar në dhomën e komandës dhe kontrollit. Pra, aty ku rrinë eprorët.
“Objekti nr. 0012 (dhoma e komandës dhe kontrollit) është konstatuar vizuelisht se i plotëson kushtet për ushtrimin e veprimtarisë, plotëson kushtet teknike, higjieno-sanitare”, thuhet në raport.
Në mesin e hapësirave, u inspektua edhe kuzhina.
Raporti thotë se ambientet janë të pajisura me lavamanë, ujë të rrjedhshëm, detergjente, letër për tharjen e duarve dhe shporta për mbeturina. Po ashtu, mjetet e shërbimit dhe depot ushqimore janë gjetur në gjendje të mirë higjienike, pa produkte të skaduara, ndërsa komorat e ruajtjes janë funksionale.
Megjithatë, gjatë inspektimit janë evidentuar dëmtime në inventar, karrige, pllaka qeramike, tavane dhe disa instalime ujëmbledhëse. Gjithashtu, materialet për mirëmbajtje dhe pastrim janë gjetur në depo të veçantë dhe kërkohet zhvendosja e tyre. /Klankosova.tv












