Nuk kemi asnjë armiqësi ndaj amerikanëve

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka publikuar të mërkurën tekstin e një letre drejtuar popullit amerikan, duke theksuar se Irani nuk ka “asnjë armiqësi” ndaj Shteteve të Bashkuara apo vendeve të tjera, ndërsa veprimet e vendit të tij në luftën në vazhdim i ka cilësuar si “një përgjigje të matur e bazuar në vetëmbrojtje legjitime”.

Letra u publikua vetëm disa orë para një fjalimi të rëndësishëm të presidentit amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, pas mesazheve të përziera mbi të ardhmen e konfliktit.

Në letrën e tij, Pezeshkian rikujton historinë e gjatë dhe të tensionuar mes SHBA-së dhe Iranit, duke përmendur grushtshtetin e mbështetur nga SHBA në vitin 1953, mbështetjen për monarkinë iraniane, si dhe praninë e bazave ushtarake amerikane në vende të tjera të Lindjes së Mesme “rreth Iranit”.

Publikimi i letrës erdhi pasi Trump deklaroi se Irani kishte kërkuar armëpushim, pretendim që më vonë u mohua nga zyrtarët iranianë.

Pezeshkian nuk përmendi një armëpushim të mundshëm, por tha se luftimet e mëtejshme do të ishin “më të kushtueshme dhe më të kota se kurrë më parë”.

Nga ana tjetër, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se “Irani dëshiron të ketë armë bërthamore, për këtë nuk ka asnjë dyshim”, duke shtuar se Teherani po përpiqet të ndërtojë një “mburojë konvencionale” për të mbrojtur programin e tij bërthamor.

Sipas tij, Irani po synon të ketë aq shumë raketa dhe dronë, sa që askush të mos mund ta sulmojë.

Rubio tha se lufta është “mundësia jonë e fundit dhe më e mirë” për të shkatërruar raketat dhe dronët e Iranit, ndërsa Trump kishte përdorur një arsyetim të ngjashëm në fjalimin e tij të parë pas nisjes së luftës, kur deklaroi se Irani “hodhi poshtë çdo mundësi për të hequr dorë nga ambiciet e tij bërthamore”.

Trump ka mohuar së fundmi se qëllimi kryesor i konfliktit ishte ndryshimi i regjimit, ndonëse më herët kishte lënë të kuptohej se kjo kishte ndodhur pas vrasjes së Udhëheqësit Suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, në sulmet fillestare.

Në letrën e tij, Pezeshkian ngriti pyetje të drejtpërdrejta për qëllimin e luftës, duke pyetur se cilat interesa të popullit amerikan po i shërben vërtet ky konflikt dhe nëse ka ekzistuar ndonjë kërcënim objektiv nga Irani për të justifikuar veprimet ushtarake.

Ai akuzoi gjithashtu për vrasjen e fëmijëve të pafajshëm, shkatërrimin e objekteve farmaceutike për trajtimin e kancerit dhe retorikën për bombardimin e Iranit “përsëri në epokën e gurit”, duke thënë se këto vetëm sa e dëmtojnë më tej pozitën globale të SHBA-së.

Presidenti iranian paralajmëroi po ashtu se goditja e “objekteve energjetike dhe industriale” të Iranit do të përbënte krim lufte dhe mund të rriste kostot njerëzore dhe ekonomike.

Trump ka kërcënuar me goditje ndaj infrastrukturës iraniane dhe impianteve të desalinizimit, ndërsa ushtria iraniane ka goditur rafineritë e gazit natyror dhe infrastrukturën në shtetet e Gjirit gjatë luftës.

Irani gjithashtu ka qëlluar vazhdimisht mbi anije në Ngushticën e Hormuzit, duke ndalur trafikun detar dhe duke ndikuar rëndë në çmimet e naftës, megjithëse Pezeshkian nuk e përmendi fare këtë rrugë ujore në letrën e tij.

Trump pritet t’i drejtohet kombit në një fjalim në orar primetime në orën 21:00 të së mërkurës, ndërsa sipas Politico, ai pritet të theksojë se lufta po shkon drejt përfundimit dhe t’u bëjë thirrje vendeve të tjera të sigurojnë Ngushticën e Hormuzit.

Më herët gjatë ditës, Trump kishte deklaruar se SHBA do të shqyrtonte armëpushimin vetëm nëse ngushtica do të ishte “e hapur, e lirë dhe e sigurt”. / Burimi: Forbes

Latest news
Related news