“Kam një parandjenjë të keqe…”, çfarë i tha Lika gruas para vrasjes (VIDEO)

Detaje të reja janë bërë publike lidhur me rastin e vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, ku sipas gazetarit Faton Mehmeti, viktima kishte shprehur shqetësim pak ditë para ngjarjes tragjike.

Në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, Mehmeti ka treguar se Lika, gjatë një shëtitjeje me bashkëshorten e tij disa ditë para vdekjes, kishte parë disa persona pranë banesës dhe kishte shprehur një parandjenjë të keqe.

Tre-katër ditë para se të ndodhte ngjarja, ata kishin qenë duke shëtitur dhe kishin parë një grupacion që qëndronte afër banesës. Gruaja e kishte pyetur se çfarë janë këta dhe çfarë po bëjnë, ndërsa Muhamedi i kishte thënë: ‘Kam një parandjenjë të keqe, diçka do të ndodhë’”, ka deklaruar Mehmeti.

Sipas tij, dëshmia e bashkëshortes së Likës në gjykatë ka qenë ndër momentet më të ndjeshme të procesit, pasi ajo kishte rikujtuar këtë shqetësim të bashkëshortit të saj.

Ndërkohë, eksperti i sigurisë Bedri Elezi ka ngritur shqetësime lidhur me mënyrën e trajtimit të rastit, duke kërkuar që të gjitha përgjegjësitë të përcaktohen mbi bazën e provave.

Elezi ka thënë se, duke marrë parasysh rrethanat e rastit dhe numrin e personave të përfshirë, çështja mund të kërkonte trajtim nga Prokuroria Speciale.

Kërkojmë që drejtësisë t’i jepet mundësia të sjellë provat me të cilat do të ketë një dënim të merituar. Nuk duhet të bëhet një dënim pa prova”, ka deklaruar Elezi.

Rasti i vrasjes së rreshterit Muhamed Lika vazhdon të jetë në procedurë gjyqësore, ndërsa pritet që procesi të sqarojë të gjitha rrethanat dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.

Latest news
Related news