Vdekja e një foshnjeje vetëm 7-muajshe ka vënë në lëvizje organet e drejtësisë në Shqipëri, teksa dy mjekë pediatër janë vënë nën hetim për dyshime mbi neglizhencën në trajtimin e saj mjekësor.
Siç shkruajnë mediat shqiptare, foshnja humbi jetën më 21 korrik, gjatë transportimit me urgjencë drejt Spitalit Rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër, transmeton Klankosova.tv.
Pas ngjarjes, është iniciuar procedim penal ndaj dy mjekëve pediatër të këtij spitali, Mikel Koti dhe Edmond Kotoni. Ata dyshohen se kanë neglizhuar trajtimin mjekësor të foshnjës në dy raste të ndara gjatë muajit korrik.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, e cila ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse ka pasur neglizhencë profesionale në trajtimin e të miturës.
Sipas informacioneve paraprake, foshnja ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital. Hetimet janë ende në zhvillim, ndërsa autoritetet pritet të sqarojnë përgjegjësitë e mundshme lidhur me rastin, transmeton Klankosova.tv.

