Majori i Ushtrisë së Kosovës, Driton Haxhiaj, ka përfunduar me sukses Kursin për Komandantët e Kontingjenteve në Operacionet Paqeruajtëse, një trajnim ndërkombëtar që synon përgatitjen e oficerëve për drejtimin e kontingjenteve në misionet paqeruajtëse.
Lajmi u bë i ditur nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Japoni, e cila përmes një njoftimi publik i shprehu urimet oficerit të Ushtrisë së Kosovës për këtë arritje profesionale.
“Urime Majorit të Ushtrisë së Kosovës, Driton Haxhiaj, për përfundimin me sukses të Kursit për Komandantët e Kontingjenteve në Operacionet Paqeruajtëse (PKOCCC), të zhvilluar sot në Qendrën Japoneze për Trajnim dhe Kërkim në Operacionet Paqeruajtëse (JPC), në Tokio, Japoni”, thuhet në njoftimin e Ambasadës transmeton Klankosova.tv.
Ambasada vlerësoi se përfundimi me sukses i këtij kursi përbën jo vetëm një sukses personal për majorin Haxhiaj, por edhe një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e kapaciteteve profesionale të Ushtrisë së Kosovës.
“Kjo është një arritje e rëndësishme profesionale dhe një kontribut i vlefshëm për forcimin e kapaciteteve të Ushtrisë së Kosovës në misionet ndërkombëtare të paqes”, theksohet më tej në njoftim.
Kursi për Komandantët e Kontingjenteve në Operacionet Paqeruajtëse (PKOCCC), i organizuar në Qendrën Japoneze për Trajnim dhe Kërkim në Operacionet Paqeruajtëse (JPC) në Tokio, është një program i specializuar që synon përgatitjen e oficerëve për udhëheqjen e forcave në operacionet shumëkombëshe të paqes, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Përfundimi me sukses i këtij programi nga një oficer i Ushtrisë së Kosovës dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të vendit në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe në forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në fushën e sigurisë dhe paqeruajtjes.


