Pas paralajmërimeve për zvogëlimin e trupave të NATO-s në Kosovë, është përgjigjur një prej shteteve më të fuqishme evropiane, Gjermania.
Të premten e javës së kaluar nga selia ushtarake e NATO-s kanë paralajmëruar mundësinë e zvogëlimit të forces së saj të sigurisë në Kosovë, duke tërhequr disa trupa dhe pajisje.
Në një përgigje për Klankosova.tv, autoritetet gjermane kanë njoftuar se ky shtet nuk po planifikon zvogëlimin e trupave të saj në Kosovë, që operojnë në kuadër të misionit të NATO-s.
Sipas përgjigjes, Forcat e Armatosura të Gjermanisë do të vazhdojnë misionin dhe angazhimin e tyre në Kosovë.
“Bundeswehr do të vazhdojë angazhimin e saj në Kosovë.”, ka thënë shkurt një zëdhënës i Komandës së Forcave të Armatosura të Gjermanisë.
Gjithashtu, para pak ditësh, edhe Bundestagu gjerman kishte votuar për vazhdimin e misionit të saj në KFOR.
Ndryshe, të premten e 12 qershorit, është raportuar se meqenëse situata e sigurisë në Kosovë mbetet përgjithësisht e qëndrueshme, NATO do të optimizojë praninë e KFOR-it në Kosovë dhe do të përshtatë gradualisht numrin aktual të trupave të saj gjatë vitit të ardhshëm.
Kështu kishte deklaruar gjenerali i Forcave Ajrore të ShBA-së, Alexus G. Grynkeëich, Komandant Suprem i Forcave Aleate në Evropë (SACEUR).
Ndër të tjerash, ai kishte shtuar se NATO nuk do të lejojë krijimin e një vakumi sigurie.
Reduktimet e planifikuara pritet të realizohen në përputhje me ciklet kombëtare të rotacionit, dislokimit dhe tërheqjes së trupave ndërmjet këtij viti dhe vitit të ardhshëm. Ky optimizim do të ndodhë gradualisht dhe në përputhje me kushtet në terren, ndërsa mund të anulohet nëse zhvillimet e sigurisë e kërkojnë një gjë të tillë.
Për shkak të përmirësimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë në Kosovë gjatë viteve të fundit, NATO në janar ndërpreu dislokimin e forcave rezervë në kuadër të misionit të saj në Kosovë, pas më shumë se dy vitesh rotacioni të vazhdueshëm.
Që nga viti 1999, prania e KFOR-it është përshtatur vazhdimisht për të siguruar që misioni të mbetet i përshtatshëm për qëllimin e tij dhe t’i përgjigjet zhvillimeve të situatës së sigurisë. Pas rritjes së tensioneve dhe dhunës në vitin 2023, përfshirë sulmet e pajustifikuara ndaj paqeruajtësve të KFOR-it në Zveçan, KFOR-i mori përforcimin më të madh në më shumë se një dekadë, me dislokimin e afro 1.000 ushtarëve shtesë. /Klankosova.tv



