Arrestohet në Belgjikë shqiptari i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje dhe trafik droge

Një shtetas shqiptar është arrestuar në Belgjikë gjatë një operacioni ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, të zhvilluar në bashkëpunim mes autoriteteve shqiptare dhe atyre belge.

Sipas njoftimit nga Policia e Shtetit, i arrestuari është identifikuar si Gerd Gjinarari, 52 vjeç, i cili po qëndronte në Belgjikë me dokumente italiane të dyshuara si të falsifikuara.

Arrestimi është kryer pas shkëmbimit të informacioneve mes Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit dhe specialistëve të Interpol në Bruksel.

“Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendim të vitit 2014 dhe Gjykata e Apelit Korçë, me vendim të vitit 2019, kanë vendosur njohjen e vendimit penal të autoriteteve italiane, duke dënuar këtë shtetas, me burgim të përjetshëm, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Vrasja me paramendim”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Vijon bashkëpunimi ndërmjet homologëve të Interpol Tiranës dhe Interpol Brukselit, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi”, thuhet në postimin e policisë shqiptare./Klankosova.tv

Latest news
Related news