E enjtja do të jetë ditë zie për dy familje nga Kosova, të cilat do t’u japin lamtumirën e fundit dy grave që humbën jetën tragjikisht në aksidente të ndara jashtë vendit.
Sot do të varroset Besire Kolgeci-Baraliu, gruaja me origjinë nga fshati Bukosh i Suharekës, e cila dyshohet se humbi jetën si pasojë e një aksidenti në Francë disa javë më parë.
Ceremonia e varrimit do të mbahet në varrezat e qytetit të Lingolsheimit në Francë, duke filluar nga ora 14:00, kanë njoftuar familjarët, transmeton Klankosova.tv.
Sipas informacioneve të publikuara nga familja gjatë muajit qershor, në të njëjtin aksident mbetën të lënduar edhe bashkëshorti i saj dhe dy djemtë, të cilët u trajtuan në një spital në Bazel.
Po gjatë së enjtes, lamtumira e fundit do t’i jepet edhe 20-vjeçares Rina Krasniqi, e cila humbi jetën në një aksident trafiku në Gjermani.
Familjarët kanë bërë të ditur përmes një njoftimi në rrjetet sociale se ceremonia e varrimit të saj do të mbahet sot, në orën 18:00, në varrezat e fshatit Damanek të Malishevës./Klankosova.tv



