Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, pritet të marrë si dhuratë një unazë luksoze prej ari, të zbukuruar me qindra gurë të çmuar, e cila është punuar nga komuniteti i diamantëve në Antwerpi të Belgjikës për nder të 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-së.
Sipas AP, unaza iu dorëzua këtë javë ambasadorit amerikan në Belgjikë, Bill White, i cili do t’ia prezantojë presidentit Trump, transmeton Klankosova.tv.
Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, deri të enjten unaza ende nuk i ishte dorëzuar presidentit.
Në një mesazh të regjistruar paraprakisht gjatë ceremonisë së organizuar në Bruksel për 250-vjetorin e SHBA-së, Trump falënderoi donatorët.
“Një falënderim i veçantë për miqtë e mi nga Antwerpi për unazën madhështore ‘Freedom 250′”, tha ai.
Unaza është punuar në ar 18-karatësh dhe përmban 321 diamantë, 56 safirë, 13 smeralde dhe gjashtë rubinë.
Në të janë të gdhendura simbole të shumta amerikane, përfshirë dy shkronja “T”, flamurin amerikan, vitet 1776 dhe 2026, numrat 45 dhe 47 në formën e logos së Superman-it, një shqiponjë me krahë prej diamantësh, një mburojë me rubinë dhe degë ulliri me smeralde, si dhe mbishkrimin “250 YEARS USA”.
Në pjesën e brendshme është gdhendur mesazhi: “Crafted in Antwerp for Donald John Trump” (“Punuar në Antwerp për Donald John Trump”).
Dhurata vjen vetëm disa muaj pasi industria belge e diamantëve përfitoi nga heqja e tarifave amerikane për importin e diamantëve të përpunuar.
As AWDC dhe as argjendari belg David Gotlib, i cili e realizoi unazën, nuk kanë bërë publike vlerën zyrtare të saj.
Megjithatë, dy ekspertë të pavarur të bizhuterive e kanë vlerësuar atë mes 25 mijë dhe 35 mijë dollarëve, ku rreth gjysma e kostos lidhet me materialet e çmuara dhe pjesa tjetër me punimin artizanal.
Sipas Associated Press, ekspertët amerikanë të etikës kanë ngritur shqetësime se Trump është larguar nga praktika shumëvjeçare e presidentëve amerikanë për të shmangur pranimin e dhuratave të tilla me vlerë të lartë, transmeton Klankosova.tv.



