Kombëtarja e Kanadasë ka marrë një lajm të hidhur pas fitores bindëse 6-0 ndaj Katarit në Kupën e Botës, teksa mesfushori Ismael Kone ka pësuar një dëmtim të rëndë që do ta detyrojë t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.
Sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare, futbollisti 24-vjeçar ka pësuar frakturë në tibie dhe fibulë pas një ndërhyrjeje të ashpër nga lojtari i Katarit, Assim Madibo, në minutën e 51-të të takimit, transmeton Klankosova.tv.
Incidenti ndaloi menjëherë lojën dhe shkaktoi momente të rënda në fushë, Kone u rrëzua duke shfaqur dhimbje të mëdha menjëherë pas kontaktit, ndërsa gjyqtari nuk hezitoi ta ndëshkonte Madibon me karton të kuq direkt.
Ngjarja solli tension mes futbollistëve të të dyja përfaqësueseve, ndërsa stafi mjekësor ndërhyri me urgjencë për t’i dhënë ndihmën e parë lojtarit kanadez.
Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri i Kanadasë, Jesse Marsch, konfirmoi se mesfushori ishte dërguar menjëherë në spital dhe po qëndronte nën kujdesin e familjarëve të tij, përfshirë nënën Suzanne, ndërsa mjekët po përgatisnin procedurat për operacionin.
Marsch zbuloi gjithashtu se lojtari i Katarit, Assim Madibo, kishte vizituar dhomën e zhveshjes së Kanadasë pas ndeshjes për të kërkuar falje për ndërhyrjen që çoi në dëmtimin e rëndë të Kones, në një gjest sportiv dhe pajtues.
Dëmtimi i mesfushorit konsiderohet një goditje e madhe për kombëtaren kanadeze, ndërsa rikuperimi i tij pritet të jetë i gjatë dhe sfidues.
Ky incident mbetet një nga momentet më të rënda dhe më të trishta të këtij edicioni të Kupës së Botës.



