
Për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave që po mbahen sot në Republikën e Kosovës, Prokuroria e Shtetit ka ndërmarrë masa të forta për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor dhe mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve.
Sot, rreth 80 prokurorë të shtetit dhe staf mbështetës janë angazhuar në nivel kombëtar për të monitoruar dhe siguruar zhvillimin e qetë dhe të ndershëm të zgjedhjeve.
Ata po qëndrojnë kujdestarë në të gjitha territorin e Kosovës, duke ndërhyrë menjëherë në rast të parregullsive që mund të ndodhin gjatë ditës së zgjedhjeve, raporton Telegrafi.
Për prokurorët që operojnë në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, zyrat janë të hapura për të pranuar çdo denoncim.
Ndërsa në ato zona ku nuk ka prokurori, prokurorët janë të vendosur në stacionet policore, duke bashkëpunuar me hetuesit e Policisë së Kosovës për të parandaluar çdo tentativë për manipulimin e votës.
Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, ka mbikëqyrur me vëmendje çdo fazë të procesit zgjedhor, duke siguruar që të gjithë prokurorët dhe koordinatorët rajonalë të përmbushin detyrat e tyre për mbrojtjen e integritetit të zgjedhjeve.
Prokuroria e Shtetit ka ftuar qytetarët dhe të gjitha subjektet politike të denoncojnë çdo formë të keqpërdorimit të votës. Zyra e Kryeprokurorit ka theksuar se është e gatshme të trajtojë çdo informacion për manipuluese të mundshme dhe të sigurojë drejtësi në çdo rast. /Telegrafi/



