Në Shtetet e Bashkuara, situata është tensionuar në qytetin e Los Angelesit pas bastisjeve të organizuara nga autoritetet federale kundër emigrantëve pa dokumente. Këto veprime kanë shkaktuar protesta të gjera në qytet, me pjesëmarrje të madhe të komuniteteve emigrante dhe grupeve për të drejtat e njeriut.
Presidenti Donald Trump ka reaguar duke i cilësuar protestuesit si “turma të dhunshme dhe kryengritëse” që, sipas tij, po sulmojnë agjentët federalë për të ndalur zbatimin e ligjeve të imigracionit. Ai ka paralajmëruar se të gjithë ata që qëndrojnë ilegalisht në SHBA do të dëbohen, raporton CNN.
“Po ndërmarrim çdo masë për të rivendosur rendin dhe për të çliruar qytetin nga trazirat e shkaktuara nga emigrantët,” ka shkruar Trump në rrjetin Truth Social. Ai ka dërguar 2,000 pjesëtarë të Gardës Kombëtare në qytet – një vendim që ka hasur në kundërshtim të ashpër nga autoritetet lokale dhe guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, i cili e ka quajtur këtë një veprim që “vetëm e përshkallëzon situatën”.
Ndërkohë, kryetarja e qytetit, Karen Bass, ka thënë se forcat lokale të rendit janë të afta ta menaxhojnë situatën dhe ka bërë thirrje për qetësi: “Los Angeles nuk ka nevojë për trupa ushtarake, por për zgjidhje dhe drejtësi”.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, gjithashtu ka reaguar, duke dënuar bastisjet dhe duke theksuar se “emigrantët nuk janë kriminelë, por njerëz që kërkojnë një jetë më të mirë”.



