Mes Alpeve dhe liqenit, Montreux ofron një model shoqërie ku qetësia , korrektësia dhe dinjiteti vlejnë më shumë se shfaqja e pasurisë. Nga pastërtia dhe rendi , te kultura dhe diversiteti , ky qytet zviceran dëshmon se mirëqenia ndërtohet me rregulla dhe respekt
Sapo i afrohemi ditëve të fundit të vitit, Zvicra dukej si një përrallë alpine pa bardhësinë e saj. Vitet e fundit kanë shënuar rënie të ndjeshme të dëborës dhe kjo ndihet edhe në Montreux, qytetin e njohur turistik buzë Liqenit të Gjenevës, i rrethuar nga Alpet tashmë pa mantel bore. Kjo mungesë i ka zbehur frymën klasike të dimrit, por jo elegancën dhe qetësinë e qytetit.

Montreux është një qytet i vogël, i qetë dhe i rafinuar, ku jeta ecën me ritëm të balancuar: as e nxituar, as e izoluar. Banorët janë të sjellshëm, korrektë dhe të përmbajtur. Privatësia respektohet fort, ndërsa marrëdhëniet ndërtohen ngadalë dhe mbi besim. Qyteti është multikulturor, me prani të artistëve, diplomatëve dhe profesionistëve nga e gjithë bota, çka e bën atë të hapur dhe shumëgjuhësh.
Shoqëria funksionon mbi rregulla të qarta dhe ndjenjë të fortë përgjegjësie kolektive. Shërbimet publike janë shumë të organizuara dhe njerëzit i respektojnë me përpikëri.
Rendi, pastërtia dhe përgjegjësia kolektive janë pjesë e përditshmërisë. Rrugët pastrohen herët në mëngjes, mbeturinat klasifikohen me përpikëri dhe rregullat respektohen pa nevojë imponimi. Në çdo hyrje të pallateve pothuaj ndihen aroma të këndshme, gjë që tregon sa rëndësi i kushtohet pastërtisë. Hedhurinat nëpër kontejner janë të klasifikuara.

Diskrecioni, siguria dhe qetësia në rend të parë
Diskrecioni dhe qetësia janë parime bazë të jetesës, edhe pse qyteti frekuentohet çdo ditë nga mijëra turistë.
Montreux ka qenë strehë për figura të mëdha të artit dhe kulturës botërore, si Freddie Mercury, David Bowie, Vladimir Nabokov, Igor Stravinsky dhe Charlie Chaplin. Të gjithë u tërhoqën nga siguria, privatësia, bukuria natyrore dhe mjedisi kulturor elitar.

Edhe pse konsiderohet zonë e pasur, dallimet sociale nuk shfaqen hapur. Pasuria është diskrete dhe pabarazia menaxhohet institucionalisht, duke ruajtur dinjitetin për të gjithë. Banimi social është i integruar dhe nuk ka ndarje apo tensione klasore të dukshme.
Jeta është e shtrenjtë, por e rregullt dhe e sigurt. Banorët preferojnë shëtitjet, natyrën dhe aktivitetet kulturore më shumë sesa daljet e shpeshta në restorante. Cilësia e jetës vlerësohet mbi zhurmën dhe shfaqjen.

Diversiteti kulturor shihet si pasuri
Montreux nuk është thjesht qytet turistik — është strehë për krijues, sidomos për ata që kërkojnë paqe larg zhurmës së famës.
Një element i veçantë është Montreux Jazz Festival, i cili i jep qytetit një energji krejt tjetër çdo vit: njerëzit bëhen më të hapur, rrugët mbushen me muzikë dhe atmosfera është shumë më e gjallë se zakonisht. Ky kontrast mes qetësisë së përditshme dhe gjallërisë kulturore është pjesë e identitetit të Montreux. Në përgjithësi, Montreux ofron një jetë sociale të rregulluar, të sigurt dhe me standard të lartë, ideale për ata që kërkojnë stabilitet, kulturë dhe harmoni me natyrën — më pak zhurmë, më shumë cilësi.
Jeta është e shtrenjtë, por e rregullt dhe e sigurt. Njerëzit investojnë shumë në cilësinë e jetës: ushqim i shëndetshëm, sport, ecje përgjatë liqenit dhe aktivitete në natyrë. Familja dhe privatësia kanë rëndësi të madhe, ndërsa balanca mes punës dhe jetës personale respektohet Në përgjithësi,ky qytet përfaqëson një shoqëri të qetë, të organizuar dhe kulturore, ku natyra, arti dhe mirëqenia sociale bashkëjetojnë në harmoni.
Vend ku nuk vëren distancë mes të pasurve dhe të varfërve




Ndryshe nga ne, në Montreux, raportet mes të pasurve dhe më pak të pasurve janë të qeta, të padukshme dhe të rregulluara institucionalisht, por ekzistojnë qartë në nivel ekonomik. Të pasurit rrallë e shfaqin hapur statusin e tyre në jetën e përditshme; luksi është më shumë diskret. Ndërkohë, ata me të ardhurat më të ulëta nuk shoqërohen me stigmatizim publik. Sistemi zviceran i taksave, sigurimeve dhe ndihmës sociale e zbut pabarazinë ekstreme. Ka mbështetje për qiranë, sigurim shëndetësor të detyrueshëm dhe kushte të mira pune, çka bën që varfëria ekstreme të jetë e rrallë, edhe pse presioni financiar ekziston. Kontaktet mes shtresave ndodhin kryesisht në, vendet e punës, hapësirat publike dhe shërbime dhe aktivitete kulturore. Ndryshe nga rajoni ynë ku pasuria shpesh shfaqet hapur (makina luksoze, shtëpi të mëdha, veshje të shtrenjta) ku ekspozimi i pasurisë lidhet me prestigjin dhe afirmimin social. Mjafton disa ditë qëndrimi për të parë se si shteti funksionon dhe zbatohet ligji relativisht njësoj për të gjithë, jo sikur tek ne, ku shërbimet janë më të dobëta ose selektive.
Nuk ka lagje të rrezikshme apo të izoluara apo barriera fizike mes të pasurve dhe të varfërve.Por të gjithë jetojnë në kushte të sigurta dhe dinjitoze — ndryshon niveli i komoditetit, jo dinjiteti.
Më shumë preferohen shëtitjet se restorantet
Në Montreux, ushqimi dhe koha e lirë janë të shtrenjta: snack-et kushtojnë 10–20 franga, dreka në restorante varësisht nga niveli i tyre varion nga 20 deri 80 franga, ndërsa kafeja 4–6 franga dhe birra 7–9 franga. Në shumë vende sheh “plat du jour” (menu ditore) për drekë – këto zakonisht janë pak më të lira dhe më praktike. Transporti dhe ekskursionet me tren, në këtë qytet varësisht nga distanca variojnë nga 20 deri 100 franga. Banorët vendas dalin rrallë në restorant, gatuajnë në shtëpi dhe shfrytëzojnë natyrën; restoranti shihet si event, jo rutinë, ndërsa shpenzimet javore për dalje të lehta janë 150–250 franga. Për zviceranët 1 deri dy dalje në jave në ndonjë lokal për kafe ose birrë konsiderohen normale. Është interesant për shembull, kur flitet për pagat në Zvicër tek ne konsiderohet e madhe një pagë prej 4.000 franka e që në fakt për kushtet e atjeshme është e ulët, pas qirasë, qe zakonisht varet nga vendi nga 1.700 e shifra tepër të larta dhe sigurimit shëndetësorë bazik qe sillet mbi 600 franka dhe shërbimet tjera nuk mbetet për ti mbuluar nevojat vitale.
Ilir Krasniqi, Janar 2026 Montreux



