Qeveria siriane ka arritur një marrëveshje me aleancën militare kurde Forcat Demokratike Siriane (SDF), e cila parasheh integrimin gradual të forcave kurde dhe institucioneve të tyre në strukturat shtetërore të Sirisë.
Marrëveshja vjen pas javësh përleshjesh, gjatë të cilave ushtria siriane rimori territore të gjera në verilindje të vendit, zona që kishin qenë nën kontrollin e SDF-së për më shumë se dhjetë vjet. I dërguari amerikan për Sirinë, Tom Barrack, e cilësoi këtë zhvillim si “një moment të thellë dhe historik në rrugën e Sirisë drejt pajtimit kombëtar, unitetit dhe stabilitetit afatgjatë”.
Sipas marrëveshjes, SDF do të tërhiqet nga pikat e kontaktit, anëtarët e saj do t’i bashkohen ushtrisë dhe institucioneve shtetërore siriane, ndërsa strukturat administrative dhe civile të SDF-së do të integrohen në administratën qendrore. Po ashtu, parashihet krijimi i një divizioni ushtarak me tre brigada, të përbëra nga ish-anëtarë të SDF-së.
Marrëveshja përfshin edhe garantimin e të drejtave civile, arsimore, kulturore dhe gjuhësore për kurdët, si dhe kthimin e personave të zhvendosur në shtëpitë e tyre. Një pjesë e rëndësishme e saj është edhe dorëzimi i burgjeve, si dhe i fushave të naftës dhe gazit nën kontrollin e mëparshëm të SDF-së. Ushtria siriane ka marrë tashmë nën kontroll fushën e naftës Omar, më e madhja në vend, si dhe digën strategjike të Tabqës në lumin Eufrat.
Kurdët kishin kontrolluar rreth një të tretën e territorit të Sirisë me mbështetjen e SHBA-së, pas disfatës së grupit ekstremist ISIS. Humbjet e fundit territoriale përbëjnë ndryshimin më të madh të kontrollit në vend që nga rrëzimi i ish-presidentit Bashar al-Assad në dhjetor 2024, çka i dha fund luftës civile 13-vjeçare.
Presidenti sirian Ahmed al-Sharaa, i cili udhëhoqi ofensivën që rrëzoi regjimin e Assadit, është zotuar për ribashkimin e Sirisë. Ai ka nxjerrë gjithashtu një dekret që njeh zyrtarisht të drejtat kombëtare të kurdëve: gjuha kurde është shpallur gjuhë kombëtare, kurdëve pa shtetësi u është dhënë shtetësia siriane dhe Viti i Ri kurd është shpallur festë zyrtare. Kjo është njohja e parë formale e të drejtave kombëtare të kurdëve që nga pavarësia e Sirisë në vitin 1946.



