Qytetarët ankohen për rritjen e çmimeve, Kaçaniku: Inflacioni është problem global

Rritja e vazhdueshme e çmimeve të produkteve bazë po vazhdon të rëndojë buxhetin e familjeve në Kosovë. Qytetarët thonë se kostoja e jetesës është bërë gjithnjë e më e vështirë për t’u përballuar, raporton Ekonomia Online.

Nga ana tjetër, kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, në një intervistë për Ekonomia Online, vlerëson se inflacioni është një fenomen global, por thekson se vendit i mungojnë mekanizmat efektivë për mbrojtjen e konsumatorëve.

Qytetari, Hasan Rafuna vlerëson se çmimet janë rritur në masë të madhe dhe se një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve nuk kanë mundësi t’i përballojnë.

“Çmimet janë shumë të larta, kështu që ka njerëz, po edhe shumica e njerëzve nuk munden t’i përballojnë”, u shpreh ai.

Sipas tij, inflacioni ka zhvlerësuar edhe rritjen e pagave, ndërsa kërkon ndërhyrje nga institucionet.

“Të gjitha, vallahin mesa i shoh unë të gjitha janë shtrenjtu, kështu që pika e parë është qeveria duhet të ndërhyjë, inflacioni ka shkuar tepër lartë, pagat janë jo stabile, jo të larta. Po thotë e kam rritur 500 euro pagën, a qajo pagë tani vlen 250 euro me ngritjen e çmimeve, e çka të bëjnë punëtorët me atë pagë, ka anëtarë të familjes shumë”, tha ai.

 Ai shton se shpenzimet për furnizimin e familjes janë rritur ndjeshëm krahasuar me vitet e kaluara.

 “Të gjitha produktet janë duke u rritur, brenda javes shkojnë përpjetë, kur të shkosh t’i shikosh s’ki. Unë po flas realisht, përpara kam marrë me 200 euro harxhin e shtëpisë, tani me 400 euro atë s’mund ta mbërrij. E çka po bëjnë këta pushtetarët tanë, këta vetëm po shtyhen për karrigë, nuk po mendojnë për popullatën e Kosovës, po mendojnë për xhepat e vetë, pagat i kanë të majmë e për neve s’u intereson”, tha ai.

Edhe qytetarja Sadbere Buja u shpreh se çmimet janë të larta në raport me të ardhurat që kanë qytetarët, veçanërisht pensionistët.

“Janë çmimet e larta në krahasim me të ardhurat që i kemi, se ne jetojmë me pensione”, tha ajo, për Ekonomia Online.

 Ajo shtoi se rritja e përgjithshme e çmimeve e ka bërë gjithnjë e më të vështirë përballimin e shpenzimeve mujore.

“Të gjitha, në përgjithësi, të gjitha janë më të shtrenjta, për të ardhurat që i kemi mezi po dalim në skaj, por po duhet të hamë patjetër, s’ke çare”, tha ajo.

Ndërkaq, qytetari Hamdi Krasniqi shprehet se, krahasuar me periudhat e mëhershme, disa çmime nuk i duken më aq të larta.

“Kur ta bësh mend, tani nuk janë aq të larta, a më herët kur kanë qenë, edhe tash po vijnë prej kahmos se nuk po punojnë fort këtu, s’po i edukon kush, bujqësi me punu, edhe nuk po ki hesap me punu, shtrenjtë tjerat gjëra, këndej kur po bëhen me i shitë, nuk po shiten, po vijnë prej kahmos, e tash ne tybe s’po dimë çka të bëjmë”, u shpreh ai.

Megjithatë, ai thekson se produktet bazë ushqimore vazhdojnë të jenë të kushtueshme.

“Ato shtrenjtë, vaji, sheqeri, e këto, të gjitha gjërat janë të shtrenjta, po s’ki çare pa i përdor”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, vlerëson se përgjegjësia për gjendjen aktuale me çmimet nuk u takon vetëm institucioneve, por edhe vetë qytetarëve, të cilët sipas tij, ndër vite nuk e kanë trajtuar mbrojtjen e konsumatorit si prioritet gjatë zgjedhjeve.

 “Është e dhimbshme sepse këtë katandim me çmime, është vargis që vite, ndoshta me dekada, ndërsa përgjigjja adekuate e qytetarëve konsumatorë, edhe të taksapaguesve akoma nuk ka. Për të qenë vetëkritikë, e duhet gjithmonë të jemi vetëkritikë, një pjesë e përgjegjësisë është e jona. Para 28 janarit dhe para 7 qershorit, unë të gjithë qytetarëve konsumatorë atëbotë, në rolin e lektoratit, iu pata drejtuar me lutje që ta votojnë atë parti dhe atë kandidat që ka program për mbrojtjen e konsumatorit, ne i votuam të gjithë pa program për mbrojtjen e konsumatorit. Ne aso kohe jemi pajtuar që të na prijë kushdo qoftë pa program për mbrojtjen e konsumatorit, pa i pasur parasysh të drejtat tona, edhe ashtu asnjë legjislaturë qeveritare nuk ka dëshmuar që e njeh qytetarin konsumator dhe që i ka parasysh të drejtat, obligimet, interesat dhe identitetin e kauzës së konsumatorit”, deklaroi ai.

Kaçaniku tha se qytetarët kanë humbur besimin tek institucionet për t’i adresuar ankesat e tyre.

“Qytetari konsumator ka kaluar në latencë, ka filluar të humbë besimin, ata që janë më agil, ata ankohen drejtpërdrejtë përmes mediumeve, që u mundësojnë qytetarëve konsumatorë ta thonë atë që kanë për të thënë publikisht. Në anën tjetër, inspeksionet po ankohen se nuk kanë numër të mjaftueshëm, nuk janë të përkrahur mjaftueshëm në aspektin kardrovik, financiar dhe teknik. Nëse rasti shkon më tutje në gjykatë, gjykata është e stërngarkuar, dhe një 75 vjeçar duhet të presë 10 vite për t’u zgjidhur rasti dhe Zoti nuk garanton se ne do kemi 10 vite për ta pritur dhe gëzuar vendimin gjyqësor”, tha ai.

Sa i përket masave që duhet të ndërmerren për parandalim të rritjes së çmimeve, Kaçaniku deklaroi se inflacioni është një problem global dhe nuk ka masa parandaluese.

“Nuk ka masa, sepse është problem global, e trashëguam që nga paralufta inflacionin, u sforcua, filloi si ortek me pandeminë e COVID, pastaj i dha zjarr edhe lufta në Ukrainë, eskaloi edhe më shumë nga lufta Izrael e Iran edhe Ngushtica e Hormuzit po e jep kontributin e vet dhe ne jemi në pamundësi për të bërë vetë diçka si shtet. Një mundësi e vogël ka qenë nëse ne do ta kishim valutën tonë, por nuk e kemi dhe as që kemi provuar që ta kemi, një mundësi e vogël ka qenë po t’i kishim disa kapacitete prodhuese siç i kemi pasë dikur para luftës, por i shitëm pa nikoqirllëk, i privatizuam pa nikoqirllëk dhe çka duhet të bëjmë, projekti ose ligji për partneritetin publiko-privat është në dorën e partive publike, nuk është ligj në plotë kuptimin e fjalës publiko-privat, askush nuk është i interesuar që askujt t’i japë mundësi të investojë dhe t’ia shohim hajrin të gjithë”, u shpreh ai.

Latest news
Related news