Sulmuesi i Juventusit, Edon Zhegrova, ka reaguar ndaj kritikave të ish-futbollistit të Shqipërisë, Altin Lala, i cili kishte deklaruar se kosovari do të luante më shumë nëse do të ishte më i fokusuar te futbolli.
Lala, në një podcast për “Telesport”, kishte thënë se Zhegrova është i përqendruar te veturat dhe orët luksoze, duke lënë të kuptohet se kjo ka ndikuar në minutat e tij te Juventusi.
Përmes një postimi në “Instagram Story”, Zhegrova i kundërshtoi këto komente, duke theksuar se suksesi i tij është rezultat i punës dhe sakrificës.
“Disa njerëz jetojnë duke komentuar jetën e të tjerëve. Unë preferoj ta jetoj timen. Suksesi nuk matet nga mendimet e atyre që flasin në studio, por nga puna që e bëj çdo ditë”, shkroi Zhegrova.
Ai shtoi se rrugëtimi i tij nga Prishtina deri te Juventusi është ndërtuar me përkushtim.
“Jam këtu falë punës dhe sakrificës nga Prishtina, Kosova ime. Gjithmonë krenar”, përfundoi sulmuesi kosovar.




