Kombëtarja e Italisë ka publikuar listën e futbollistëve të grumbulluar për ndeshjet miqësore të muajit qershor, ku “Azzurrët” do të përballen me Luksemburgun dhe Greqinë në kuadër të përgatitjeve tradicionale para një turneu madhor.
Vëmendjen më të madhe e mori trajneri i ri i Italisë, Silvio Baldini, i cili befasoi me zgjedhjet e tij duke ftuar disa emra të rinj në ekipin kombëtar.
Këta futbollistë pritet të kenë mundësinë të dëshmojnë vlerat e tyre me fanellën e ekipit të parë dhe të fitojnë besimin e stafit teknik për të ardhmen.
Pavarësisht rifreskimit të skuadrës dhe nisjes së një projekti të ri, atmosfera rreth kombëtares italiane mbetet e rënduar pas dështimit për t’u kualifikuar në Botëror.
Italia mbeti jashtë turneut pas humbjes ndaj Bosnjë dhe Hercegovinës, duke regjistruar kështu mungesën e tretë radhazi në Kupën e Botës, një statistikë zhgënjyese për një nga kombëtaret më të suksesshme në historinë e futbollit.



