Ruanda ka njoftuar se po tërhiqet nga blloku rajonal i Afrikës Qendrore, pas një mosmarrëveshjeje diplomatike për përfshirjen e saj në konfliktin në lindje të Republikës Demokratike të Kongos.
Sipas rregullores, Ruanda do të duhej të merrte presidencën e radhës të Komunitetit Ekonomik të Shteteve të Afrikës Qendrore (ECCAS), që bëhet me rotacion ndërmjet 11 vendeve anëtare.
Por kjo u bllokua gjatë një takimi të shtunën në Guinenë Ekuatoriale.
Në njoftimin për largim nga ECCAS, Ruanda tha se “e drejta për të marrë drejtimin e organizatës u shpërfill me qëllim, për të zbatuar diktatin e RD Kongos.”
Për pasojë, Ruanda deklaroi se “nuk gjen asnjë arsye për të mbetur në një organizatë që, tashmë, funksionon në kundërshtim me parimet e saj themeluese.”
Përplasja vjen mes përpjekjeve për paqe në lindje të RD Kongos.
Konflikti në lindje të RD Kongos ka qenë objekt përpjekjesh ndërkombëtare për zgjidhje. Me ndërmjetësimin e SHBA-së, Ruanda dhe RD Kongo po punojnë për një plan paqeje, që pritet të nënshkruhet brenda këtij muaji.
Sipas një deklarate nga presidenca e RD Kongos, liderët e ECCAS në samit “pranuan agresionin ndaj RD Kongos nga Ruanda dhe urdhëruan që vendi agresor të tërheqë trupat nga territori kongolez.”
Deri në zgjidhjen e konfliktit, u vendos që Guinea Ekuatoriale të vazhdojë të mbajë presidencën e organizatës.
Zëdhënësi i qeverisë së RD Kongos, Patrick Muyaya, deklaroi se “nuk mund të shkelësh vazhdimisht dhe me vetëdije parimet e institucioneve tona rajonale dhe të pretendosh se do t’i udhëheqësh ato.”
Ai shtoi se vendimi i ECCAS duhet të shërbejë si shembull që edhe organizata të tjera rajonale të mbajnë një qëndrim më të ashpër ndaj Ruandës.
Akuza ndaj Ruandës për mbështetje të rebelëve M23
Ruanda është akuzuar se mbështet rebelët M23, të cilët kanë bërë përparime të mëdha në fillim të vitit, duke marrë kontrollin e qyteteve kryesore si Goma dhe Bukavu.
Qeveria e RD Kongos, SHBA dhe Franca e kanë akuzuar hapur Ruandën për mbështetje të M23.
Një raport i OKB-së nga viti i kaluar tregoi se deri në 4,000 trupa ruandeze kanë luftuar krah për krah me rebelët.
Ruanda, nga ana tjetër, i mohon këto akuza, duke deklaruar se trupat e saj janë vendosur vetëm përgjatë kufirit për të parandaluar përhapjen e konfliktit në territorin e saj.



