Një anije civile mallrash në pronësi të një kompanie turke është goditur nga një sulm rus pranë portit të Odesës në Ukrainë duke shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha në mjetin lundrues. Sipas autoriteteve ukrainase, anija nuk ishte ushtarake, por transportonte ngarkesë civile dhe lundronte nën një flamur të huaj, raporton Kosova.info.
Nga sulmi humbi jetën kapiteni i anijes, ndërsa disa anëtarë të ekuipazhit mbetën të plagosur. Autoritetet ukrainase thanë se ekuipazhi u evakuua pas goditjes, ndërsa në anije shpërtheu zjarr.
Raportimet theksojnë se anija ishte në pronësi të një kompanie turke, por nuk ishte pjesë e Marinës së Turqisë dhe nuk lundronte nën flamurin turk. Për këtë arsye, incidenti nuk konsiderohet një sulm ndaj një anijeje ushtarake turke, por ndaj një anijeje tregtare civile.
Sulmi është pjesë e intensifikimit të goditjeve ruse ndaj porteve dhe infrastrukturës detare të Ukrainës në Detin e Zi, që kanë dëmtuar edhe mjete të tjera civile dhe kanë rritur rrezikun për transportin ndërkombëtar detar. /Kosova.info/



