Menaxhimi i sëmundjeve kronike jo-ngjitëse nuk përfundon vetëm me diagnostikim të mirëfilltë dhe trajtim bazik, apo, në rastet më të rënda, me trajtim spitalor. Pacientët me diabet, hipertension dhe sëmundje të tjera kronike kanë nevojë të edukohen, të fuqizohen dhe të jenë pjesë aktive e sistemit shëndetësor, në mënyrë që të kenë një jetë cilësore dhe të jenë aktivë në jetën e tyre shoqërore.
Prandaj, roli i një spitali nuk duhet të reduktohet vetëm në ofrimin e trajtimit spitalor dhe reagimin ndaj urgjencave, por edhe në zhvillimin e komunikimit dhe forcimin e edukimit të pacientëve me sëmundje kronike.
Këtë qasje moderne dhe pozitive ka nisur ta zbatojë Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës.
Cilat janë përfitimet që sjell edukimi dhe parandalimi sa i përket sëmundshmërisë dhe menaxhimit të sëmundjeve kronike jo-ngjitëse?
Galina Berisha: Synimi ynë është që spitali të mos shihet vetëm si vend ku trajtohet sëmundja, por si institucion që promovon shëndetin. Ne duam të ndikojmë që qytetarët të kujdesen më shumë për veten, të kryejnë kontrolle më herët, të kenë më shumë njohuri për faktorët e rrezikut dhe të marrin vendime më të shëndetshme për jetën e tyre. Sa më shumë të investojmë në edukim dhe parandalim, aq më pak do të kemi nevojë të trajtojmë komplikime të rënda.
Ky institucion i nivelit sekondar të kujdesit shëndetësor po e arrin këtë edhe përmes funksionalizimit të recepsionit multifunksional, një praktikë e re e bërë e mundur falë mbështetjes së projektit IHS.
Çfarë ndikimi ka pasur ky projekt, i cili në pamje të parë mund të duket si diçka e zakonshme, thjesht një recepsion, por që në fakt mund të shpëtojë edhe jetë?
Galina Berisha: Po, padyshim. Recepsioni multifunksional ka sjellë një frymë të re në mënyrën se si i presim dhe i orientojmë pacientët. Ai ka ndihmuar në organizimin më të mirë të shërbimeve dhe ka lehtësuar komunikimin ndërmjet pacientëve dhe stafit. Për ne ka qenë një mundësi e mirë për ta afruar më shumë pacientin me institucionin dhe për ta bërë përvojën e tij më pozitive.
Recepsioni multifunksional është pika e parë ku pacienti merr orientim dhe mbështetje. Aty pacientët informohen për shërbimet, orientohen drejt reparteve apo ambulancave përkatëse dhe marrin informata bazike shëndetësore. Në këtë proces përfshihen profile të ndryshme profesionale, duke përfshirë personel shëndetësor dhe administrativ të trajnuar për komunikimin dhe orientimin e pacientëve. Qëllimi kryesor është që pacienti të mos ndihet i humbur apo i paqartë për hapat që duhet të ndjekë.
Gazetarja: A ka ndikuar ky investim në qasjen e pacientëve? A janë ata më të interesuar të informohen rreth sëmundjeve dhe menaxhimit të tyre?
Galina Berisha: Ka ndryshuar dukshëm. Dikur fokusi kryesor ishte trajtimi i pacientit kur paraqitej në spital, ndërsa sot po punojmë që pacienti të jetë pjesë aktive e procesit të kujdesit.
Mundohemi ta edukojmë, ta informojmë dhe ta ndihmojmë të kuptojë më mirë sëmundjen e tij.
Diabeti dhe hipertensioni nuk menaxhohen vetëm me terapi, por edhe me njohuri, vetëdije dhe përfshirje aktive të pacientit dhe familjarëve.
Komunikimi i mirëfilltë me pacientët ndikon dukshëm edhe në shëndetin e tyre, duke i ndihmuar të shmangin komplikimet e rënda. Njëkohësisht, kjo e lehtëson edhe barrën mbi sistemin shëndetësor.
Gazetarja: Sa ka ndikuar ky ndryshim në edukimin dhe fuqizimin e pacientëve, duke i integruar ata në procesin e trajtimit dhe duke i vendosur në qendër të kujdesit?
Galina Berisha: Ka ndikuar shumë pozitivisht. Sot shohim pacientë që pyesin më shumë, interesohen më shumë për gjendjen e tyre shëndetësore dhe marrin pjesë më aktive në vendimet që lidhen me trajtimin e tyre. Kjo është një arritje e rëndësishme. Kur pacienti kupton pse po merr një terapi apo pse duhet të ndryshojë stilin e jetesës, rezultatet janë më të mira. Kemi vërejtur rritje të vetëdijes, komunikim më të mirë dhe bashkëpunim më të madh ndërmjet pacientëve dhe profesionistëve shëndetësorë.
Mbi të gjitha, pacientëve u duhet informacion, mbështetje dhe vazhdimësi e kujdesit. Ata duhet të kuptojnë rëndësinë e terapisë, kontrolleve të rregullta, ushqyerjes së shëndetshme dhe aktivitetit fizik. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme që të mos ndihen vetëm në këtë proces.
Sa më shumë të edukohen dhe të monitorohen, aq më shumë zvogëlohen mundësitë për komplikime dhe rihospitalizime.
Gazetarja: Cilët pacientë me sëmundje kronike jo-ngjitëse dominojnë në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës sa i përket nevojës për shërbime ambulatore dhe spitalore?
Galina Berisha: Në praktikën tonë të përditshme, pacientët që i shohim më shpesh janë ata me diabet, hipertension arterial dhe sëmundje kardiovaskulare. Këto janë sëmundje që kërkojnë kujdes të vazhdueshëm dhe kontrolle të rregullta. Fatkeqësisht, një pjesë e pacientëve paraqiten vetëm kur kanë komplikime. Prandaj, ne po mundohemi që fokusi të kalojë nga trajtimi i komplikimeve te parandalimi dhe menaxhimi i hershëm i sëmundjes.
Diabeti dhe sëmundjet kardiovaskulare vazhdojnë të jenë ndër sfidat më të mëdha shëndetësore, jo vetëm në Kosovë, por në mbarë botën. Për këtë arsye kemi vendosur që një pjesë të madhe të aktiviteteve tona të ia kushtojmë pikërisht parandalimit, edukimit dhe menaxhimit sa më të mirë të këtyre sëmundjeve.
Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës nuk është ndalur vetëm te edukimi i pacientëve. Ky institucion tashmë ka ngritur edhe këshillimore të dedikuara për ta.
Gazetarja: Sa këshillimore ka spitali dhe kujt i dedikohen ato?
Galina Berisha: Spitali i Gjakovës tashmë ka dy këshillimore të veçanta: njëra funksionon për pacientët e hospitalizuar në kuadër të Repartit të Mjekësisë Interne, ndërsa tjetra është pjesë e shërbimit për pacientët jashtëspitalorë (ambulantorë).
Në këto hapësira, pacientët marrin informata të detajuara dhe specifike për sëmundjen e tyre, menaxhimin e terapisë, ushqyerjen e duhur, aktivitetin fizik dhe parandalimin e komplikimeve.
Rezultatet që tashmë po i shohim janë pacientë shumë më të informuar, rritje e sigurisë së tyre në vetëmenaxhim dhe, si rrjedhojë, një bashkëpunim shumë më i mirë me stafin tonë, si dhe rënie e numrit të rihospitalizimeve.
Gazetarja: Shpesh pacientët, gjatë qëndrimit në spital, ankohen se stafi shëndetësor nuk komunikon me ta në mënyrë të detajuar për rezultatet e analizave dhe procesin e trajtimit. Sa po punoni në këtë drejtim, në mënyrë që pacientët të mos e kenë të diskutueshme të drejtën e tyre themelore për t’u informuar për çdo hap të trajtimit të sëmundjes së tyre kronike?
Galina Berisha: Kjo është një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme për ne, sepse pacienti ka të drejtë të plotë të dijë saktësisht se çfarë po ndodh me shëndetin e tij. Për ta strukturuar këtë proces, ne kemi vendosur një rregull sipas të cilit çdo repart ka një orar të caktuar për dhënien e informacioneve të detajuara, kryesisht çdo ditë nga ora 13:00 deri në 14:00.
Megjithatë, jemi të vetëdijshëm se, përkundër këtij organizimi, nganjëherë pacientëve ende u mungon informacioni i mjaftueshëm ose dinamika e punës bën që komunikimi të mos jetë në nivelin e dëshiruar. Prandaj, po punojmë vazhdimisht përmes trajnimeve të stafit për ta përmirësuar këtë aspekt, duke promovuar një kulturë të komunikimit të hapur, ku pacienti nuk ka nevojë të presë vetëm orarin e caktuar, por të ndihet i lirë që në çdo moment të bëjë pyetje dhe të kërkojë sqarime. Sa më i informuar të jetë pacienti, aq më i madh është besimi i tij te institucioni ynë.
Gazetarja: Komunikimi duhet të vazhdojë edhe pas përfundimit të hospitalizimit. Si e zbaton këtë praktikë stafi shëndetësor i Spitalit të Përgjithshëm të Gjakovës?
Galina Berisha: Mendoj se sot pacientët janë më të fuqizuar se më parë. Ata janë më të interesuar për informacion, më të gatshëm për të diskutuar dhe më të vetëdijshëm për rëndësinë e përfshirjes së tyre në trajtim. Kjo vjen si rezultat i komunikimit më të mirë dhe i përpjekjeve tona që pacienti të ndihet partner në kujdesin shëndetësor dhe jo vetëm përfitues i shërbimeve.
Pacientët me sëmundje kronike kanë nevojë për mbështetje edhe pas daljes nga spitali. Shpesh ata kërkojnë këshilla lidhur me terapinë, kontrollet e ardhshme, ushqimin, aktivitetin fizik apo menaxhimin e simptomave. Në kuadër të projekteve tona kemi diskutuar dhe promovuar forma të ndryshme të komunikimit dhe monitorimit në distancë, sepse besojmë se vazhdimësia e kujdesit është shumë e rëndësishme. Pacienti duhet ta ndiejë se kujdesi për të nuk përfundon në momentin kur largohet nga spitali.
Gazetarja: Për këto ndryshime është dashur të trajnohet edhe stafi shëndetësor. Cilat janë rezultatet?
Galina Berisha: Po, stafi ynë ka qenë vazhdimisht pjesë e trajnimeve dhe aktiviteteve që lidhen me cilësinë, sigurinë e pacientit dhe komunikimin. Sot flasim shumë më tepër për kujdesin e përqendruar te pacienti sesa vite më parë. Mjekët, infermierët dhe profesionistët e tjerë shëndetësorë po e kuptojnë gjithnjë e më shumë se pacienti nuk ka nevojë vetëm për trajtim profesional, por edhe për komunikim, mirëkuptim dhe mbështetje. Kjo ka ndikuar që marrëdhënia mes stafit dhe pacientëve të jetë më e afërt dhe më e besueshme.
Gazetarja: Nga përvoja ime në raportim dhe në kuadër të projekteve të tjera me IHS, kam vërejtur se shpesh pacientët me sëmundje kronike, veçanërisht ata me diabet të tipit 2, nuk janë të informuar për komplikimet që kjo sëmundje mund të shkaktojë në organet vitale. Jo rrallëherë zinxhiri i komunikimit ndërmjet profesionistëve shëndetësorë ndërpritet dhe pacientët nuk referohen me kohë te specialistët përkatës.
Në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës, përmes funksionalizimit të recepsionit multifunksional dhe kujdesit të vazhdueshëm për pacientët kronikë, si po e adresoni këtë problematikë?
Galina Berisha: Kjo është një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballemi. Shumë pacientë mendojnë se mjafton vetëm marrja e terapisë ose kontrolli i herëpashershëm i nivelit të sheqerit dhe tensionit arterial. Në fakt, diabeti dhe hipertensioni janë sëmundje kronike që, kur nuk menaxhohen në mënyrë adekuate, mund të shkaktojnë dëmtime progresive të organeve shënjestër, përfshirë sytë, zemrën, veshkat, trurin dhe enët e gjakut.
Për këtë arsye po punojmë shumë në edukimin e pacientëve dhe në referimin e tyre me kohë te specialistët përkatës. Për shembull, një pacient me diabet duhet të bëjë kontroll të rregullt të syve edhe nëse nuk ka ankesa. Qëllimi ynë është që pacienti të kuptojë se trajtimi nuk është vetëm terapi, por një proces i vazhdueshëm kujdesi për të gjithë organizmin.
Shpesh mungojnë informacioni, motivimi, ndjekja e rregullt dhe mbështetja. Kemi parë pacientë që do të kishin mundur të shmangnin komplikime serioze nëse do të kishin bërë kontrolle më të rregullta ose do të kishin marrë më shumë informata për sëmundjen e tyre. Prandaj besojmë se edukimi, komunikimi dhe parandalimi janë po aq të rëndësishëm sa edhe trajtimi mjekësor.
Gazetarja: Përmes fuqizimit të skriningut për diabet dhe hipertension, a është lehtësuar menaxhimi i sëmundjeve te këta pacientë?
Galina Berisha: Po. Skriningu është një nga metodat më të mira për të identifikuar problemet në fazat e hershme. Shumë persona nuk e dinë se kanë diabet apo hipertension derisa të shfaqen komplikimet. Kur sëmundja zbulohet herët, pacienti ka mundësi ta fillojë trajtimin në kohë dhe të parandalojë pasoja më serioze. Kjo e bën menaxhimin e sëmundjes shumë më të lehtë dhe më efektiv.
Gazetarja: Pse është i rëndësishëm integrimi i pacientëve në trajtimin e tyre? A i bën kjo ata të ndihen të vlerësuar dhe të respektuar përmes komunikimit me stafin? A e rrit besimin e tyre ndaj institucionit shëndetësor, duke mos e parë veten thjesht si një numër?
Galina Berisha: Absolutisht po. Pacienti duhet të ndihet i dëgjuar, i respektuar dhe i përfshirë në çdo vendim që lidhet me shëndetin e tij. Kur ai kupton se mendimi i tij ka vlerë dhe se është pjesë e procesit të trajtimit, krijohet një besim shumë më i madh ndaj profesionistëve dhe institucionit. Në fund të fundit, pas çdo diagnoze ekziston një njeri, një familje dhe një histori personale. Detyra jonë është ta shohim pacientin si person dhe jo si numër apo statistikë.
Gazetarja: A ndikon edukimi, kujdesi dhe menaxhimi i mirëfilltë i sëmundjeve kronike edhe në jetëgjatësinë dhe cilësinë e jetës?
Galina Berisha: Ndikon jashtëzakonisht shumë. Një pacient i edukuar është një pacient më i sigurt, më i përgjegjshëm dhe më i përgatitur për ta menaxhuar sëmundjen e tij. Shpesh them se edukimi është një formë trajtimi në vetvete. Kur pacienti e kupton sëmundjen, ai merr vendime më të mira, shmang rreziqet dhe ka më shumë gjasa ta ruajë cilësinë e jetës për një kohë të gjatë.
Gazetarja: A po punoni më shumë me pacientët dhe familjet që ende e konsiderojnë tabu sëmundjen, sidomos kur bëhet fjalë për të rinjtë dhe veçanërisht për vajzat e gratë e reja të prekura nga diabeti apo hipertensioni?
Galina Berisha: Po, ende hasim situata të tilla. Ka raste kur pacientët, veçanërisht të rinjtë apo vajzat e reja, hezitojnë të flasin për sëmundjen e tyre ose ndihen të paragjykuar. Në këto raste, barra emocionale bëhet shumë më e rëndë. Pacienti nuk përballet vetëm me diabetin apo sëmundjen kronike, por edhe me frikën, pasigurinë dhe stigmatizimin. Prandaj, për ne është shumë e rëndësishme të punojmë edhe me familjet, sepse mbështetja e tyre ka ndikim të jashtëzakonshëm në mirëqenien dhe suksesin e trajtimit.
Gazetarja: Çfarë nënkupton të jetosh me një sëmundje kronike jo-ngjitëse?
Galina Berisha: Të jetosh me një sëmundje kronike nuk do të thotë të heqësh dorë nga jeta, por të mësosh të bashkëjetosh me të. Do të thotë ta menaxhosh sëmundjen çdo ditë. Kjo kërkon disiplinë, kujdes dhe përgjegjësi, por me mbështetjen e duhur njerëzit mund të jetojnë gjatë, të punojnë, të krijojnë familje dhe të kenë një jetë aktive e cilësore.
Mesazhi ynë për pacientët është se ata nuk janë vetëm dhe se sëmundja nuk duhet t’i përcaktojë si persona.
Kjo intervistë është realizuar në kuadër të aktivitetit “Përtej titujve: Gazetaria, sëmundjet kronike jo-ngjitëse dhe tregimet që kanë rëndësi”, një partneritet ndërmjet Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe projektit Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS). IHS është një nismë e përbashkët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë. Përmbajtja e kësaj interviste nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e IHS-së apo të AGK-së.



