Kompania Frutex ka vendosur të fillojë procesin e furnizimit me gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas një ftese të bërë nga Ambasada amerikane në Kosovë për shqyrtimin e mundësive të furnizimit me këtë energjent.
Lajmin e ka bërë të ditur pronari i kompanisë, Shaqir Palushi, përmes një postimi publik, ku theksoi se përdorimi i gazit natyror paraqet një alternativë më ekonomike dhe më miqësore me mjedisin krahasuar me lëndët e tjera djegëse.
Sipas Palushit, gazi natyror amerikan ofron përfitime të shumta, pasi liron më pak ndotës në atmosferë dhe është në përputhje me standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian për mbrojtjen e mjedisit.
“Përdorimi i gazit natyror është më ekonomik krahasuar me shumë lëndë të tjera djegëse. Gjithashtu, ai është shumë më i pastër dhe liron dukshëm më pak ndotës në atmosferë”, ka theksuar ai.
Përveç aspektit ekonomik dhe ambiental, Palushi ka vlerësuar se ky hap ka edhe rëndësi strategjike për Kosovën, duke kontribuar në diversifikimin e burimeve energjetike dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik me SHBA-në.
Sipas njoftimit, furnizimi me gaz natyror amerikan pritet të nisë së shpejti, pasi paraprakisht do të realizohet instalimi i pajisjeve të nevojshme që mundësojnë përdorimin dhe shfrytëzimin e këtij energjenti në proceset prodhuese të kompanisë.
Ky vendim e bën Frutex një nga kompanitë e para në Kosovë që po orientohen drejt përdorimit të gazit natyror amerikan si burim energjie për aktivitetet e tyre industriale.



