Shteti do të padisë administratën Trump

Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta, ka theksuar se shteti do të padisë administratën Trump, duke e cilësuar federalizimin e trupave të Gardës Kombëtare të shtetit si “të panevojshëm, kundërproduktiv dhe, më e rëndësishmja, të paligjshëm”.

Kjo padi vjen në përgjigje të urdhrit të Presidentit Donald Trump për vendosjen e Gardës Kombëtare gjatë protestave të fundjavës në Los Anxhelos.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, e ka akuzuar Trumpin për “krijimin e frikës dhe terrorit për të marrë përsipër një milici shtetërore dhe për të shkelur kushtetutën e SHBA-së”, siç shpreh ai në një postim në X. Kjo shënon padinë e 24-t të Kalifornisë kundër administratës Trump në vetëm 19 javë.

Bonta ka theksuar se urdhri i Trump “abuzoi me autoritetin e qeverisë federale dhe shkeli Amendamentin e 10-të dhe ligjin federal”. 

Ai shtoi se Trump dha urdhrin “pa autorizim nga Guvernatori Newsom dhe kundër dëshirave të zbatimit të ligjit vendas”. Më tej, Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, injoroi kërkesën e Newsom për të anuluar vendosjen e trupave.

I pyetur për rezultatin e padisë, Bonta u shpreh me besim: “Po, mendojmë se do të fitojmë”. Qëllimi është që gjykata të anulojë urdhrin e Trump, dhe shteti do të kërkojë gjithashtu një urdhër kufizues ndërsa çështja zhvillohet, raporotjnë mediat amerikane.

Bonta vuri në dukje se lajmi për vendosjen e trupave të Gardës Kombëtare nga Trump përshkallëzoi protestat. Ai theksoi se demonstratat në Los Anxhelos “u shpërndanë kryesisht” kur mbërriti personeli i parë i Gardës Kombëtare të dielën. “Kjo ndez flakët. Është nxitëse dhe provokuese dhe e panevojshme dhe e padobishme dhe kundërproduktive”, tha ai.

Sipas mediave amerikane, prokurori i Përgjithshëm theksoi se agjencitë në Los Anxhelos janë “plotësisht të përgatitura” për protesta dhe se burimet lokale duhet të shterohen përpara se të thirret Garda Kombëtare. “Nëse vjen një kohë kur Garda Kombëtare duhet të merret në konsideratë, guvernatori i Kalifornisë do të vendosë nëse ato duhet të sillen, jo presidenti”, ka thënë ai.

Bonta ka deklaruar se forcat lokale të rendit kanë bërë të ditur se “shumica e madhe e njerëzve të përfshirë në protesta janë paqësorë dhe të ligjshëm”, zyra e tij do t’i mbajë përgjegjës ata që shkelin ligjin. “Nëse nuk e zbatoni ligjin, do t’ju gjejmë”, paralajmëroi ai.

Bonta mbrojti Guvernatorin Newsom dhe hodhi poshtë sugjerimin e Trumpit se cari kufitar, Tom Homan, duhet të arrestojë guvernatorin, duke e quajtur atë “më shumë mburrje”.

Ai pranoi se arrestimi i Newsom do të ishte një përshkallëzim i tensioneve mes shtetit dhe administratës, por tha se Newsom “nuk duhet të ketë asgjë për t’u shqetësuar sepse ai ka bërë vetëm gjëra të ligjshme”.

Kjo padi pritet të thellojë ndjeshëm betejën ligjore dhe politike mes administratës federale dhe shtetit të Kalifornisë, e cila ka qenë shpesh në kundërshtim me politikat e Trumpit.

Latest news
Related news