Situata politike në vend, paralajmëron Maloku: Nëse vazhdon kështu, do të përballemi me protesta (VIDEO)

Ish-anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Fadil Maloku sonte në “Edicionin Special” në Klan Kosova është shprehur se zhvillimet e fundit politike mund të jenë pjesë e një strategjie për të testuar reagimin e opinionit publik, duke e lidhur këtë me mundësinë e ndryshimeve kushtetuese.

Sipas tij, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, synon të hapë diskutimin për një ristrukturim institucional.

 “Në gjykimin tim, kjo është strategji për të matur pulse. Objektivi i tij është të krijojë një arkitekturë të re ta renovojë këtë Kushtetutë. Albin Kurti e ka shitur në publik narracionin për një ristrukturim”, tha ai.

Ai paralajmëroi se nëse vazhdon një situatë e tillë politike, mund të ketë protesta masive.

 “Në rast se vazhdon kështu, unë jam shumë i bindur dhe do të jemi dëshmitarë që do të ndodhë një protestë identike sikur në Shqipëri. Njerëzit do të kërkojnë dorëheqjen e gjithë kastës politike, për t’i hapur rrugë një klase të re politike”, tha ai.

Sipas tij, zhvillimet e reja politike në rajon dhe më gjerë kërkojnë një brez të ri liderësh me ide, vizion dhe programe që adresojnë nevojat e qytetarëve të rinj.

 “Mos ta harrojmë se, si nga gjeografia ashtu edhe nga demografia, Kosova, por edhe Shqipëria, kanë një moshë mesatare rreth 27–28 vjeç. Ndërkohë, ne, në të dy anët e kufirit, kemi njerëz mbi 60 e madje mbi 70 vjeç që udhëheqin vendin. Kjo është absurde, sepse dinamika politike aktuale dhe lëvizjet tektonike që po ndodhin, si në rajon ashtu edhe brenda e jashtë vendit, kërkojnë njerëz të rinj, me ide, koncepte dhe një narrativë, një ofertë konkrete që lidhet drejtpërdrejt me jetën e tyre”, u shpreh Maloku./Klankosova.tv

 

Latest news
Related news