
Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë shkaktuar vështirësi serioze në qarkullim në territorin e komunës së Kllokotit.
Rruga Kllokot–Viti aktualisht është e kalueshme vetëm për mjete të larta, ndërsa automjetet e vogla nuk rekomandohet të qarkullojnë në këtë segment.

Policia ka ndaluar qarkullimin e automjeteve në të dy drejtimet për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Situata e krijuar nga niveli i lartë i ujërave konsiderohet e paqëndrueshme, ndërsa rreziku i përshkallëzimit të vërshimeve mbetet i mundshëm.
Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të qëndrojnë larg zonave të rrezikshme deri në stabilizimin e motit, raporton Telegrafi.

Qytetarët kërkojnë që institucionet përgjegjëse të sigurisë dhe emergjencave të vendosin numra të posaçëm kontakti, në mënyrë që banorët të kenë mundësi të raportojnë urgjencat dhe të kërkojnë ndihmë në kohë reale.
Sipas tyre, mungesa e një adrese funksionale për raportim paraqet vështirësi shtesë në menaxhimin e situatave emergjente.
Ndërkohë, kërkohet rritja e gatishmërisë institucionale në terren, vlerësim profesional i rrezikut dhe koordinim me ekipet emergjente në rast të përkeqësimit të motit.
Banorët theksojnë nevojën që të gjitha institucionet përgjegjëse të jenë të qasshme dhe të gatshme të reagojnë në kohë, me qëllim që të sigurohet mbështetje për të gjithë qytetarët e prekur nga situata e vërshimeve.
Në teren nuk raportohet për nevojë të menjëhershme për evakuim, megjithatë gatishmëria mbetet e lartë.
Autoritetet apelojnë që qytetarët të respektojnë udhëzimet e sigurisë deri në normalizimin e kushteve atmosferike. /Telegrafi/



