Operacioni i Policisë dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në koordinim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, i zhvilluar të mërkurën kundër një skeme të kundërligjshme rezultoi me arrestimin e tre personave, dy prej të cilëve zyrtarë të shtetit.
Tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Sipas informacioneve të para, dy gratë zyrtare janë nga Drejtoria për Shtetësi, Azil dhe Migrim, G.J., dhe F.Sh., që kanë qenë objekt hetimi nën dyshimet për përfshirje në veprimtarinë kriminale, raporton Klankosova.tv
Ndërsa shtetasi i huaj i arrestuar është D.Kelleci, i cili dyshohet se ka vepruar si ndërmjetës për t’i punësuar në Kosovë disa punëtorë turq, si korrierë të ‘Wolt’ me skuter për kompani të shpërndarjes së ushqimit.
Nga Policia dhe Prokuroria e kanë konfirmuar aksionin për Klankosova.tv, si dhe kanë dhënë detaje për veprat e tjera, që janë iniciuar si raste ndaj këtij grupi.
“Personat e lartcekur, dyshohet se në bashkëkryerje kanë lëshuar leje qëndrimi për shtetas të huaj, duke u mundësuar atyre pajisjen me dokumentacionin përkatës, duke përfituar dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme. Ndaj të dyshuarave është iniciuar rasti karshi veprave penale: ‘keqpërdorimi pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘marrja e ryshfetit’, ‘falsifikimi i dokumentit zyrtar’ dhe ‘dhënia e ryshfetit’.”
Me aktvendim të prokurorit, tre të dyshuarit e parë janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë, kurse ndaj të dyshuarës E.Q., rasti do të zhvillohet në procedurë të rregullt. /Klankosova.tv




