Udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Evropian mblidhen të mërkurën në Kopenhagë nën trysninë për ta forcuar mbrojtjen e Evropës pas një vargu të shkeljeve të hapësirës ajrore të bllokut nga Rusia dhe disa ditë pas vërejtjes së dronëve të paidentifikuar në aeroportet daneze.
Këto shkelje të hapësirës ajrore janë bërë më shumë akute për shtetet në pjesën lindore të BE-së si Polonia e Estonia. Dhjetë vende anëtare tashmë i kanë mbështetur planet për një “mur dronësh” shumështresësh për të zbuluar shpejt e më pas për të përcjellë dhe shkatërruar dronë rusë, raporton televizioni BBC.
Danimarka i ka shtuar masat e sigurisë para samitit, duke e ndaluar fluturimin e të gjithë dronëve civilë deri të premten dhe duke vendosur kufizime të rrepta në trafik në Danimarkë. Pavarësisht sigurisë së lartë, në qendër të kryeqytetit danez pati pak dëshmi alarmi para samitit të nivelit të lartë.
Në Danimarkë do të mbahet edhe një samit më i gjerë i Komunitetit Politik Evropian të mërkurën dhe aleatët kanë ofruar mbështetje për t’u siguruar që këto ngjarje të zhvillohen pa incidente.
Dhjetë vende aleate do të ofrojnë mbështetje kundër dronëve dhe për vëzhgim, sipas ushtrisë daneze, e cila e ka vënë në pah “praninë e shtuar të trupave dhe pajisjeve të huaja”. Në mesin e shteteve që po kontribuojnë në forcimin e sigurisë janë Britania, Shtetet e Bashkuara, Holanda, Finlanda e Suedia. Një anije ushtarake gjermane gjithashtu është ankoruar në Kopenhagë.
Policia daneze nuk ka gjetur ndonjë dëshmi se Rusia qëndronte prapa fluturimit të dronëve javën e kaluar, kur nuk pati persona të lënduar. Sidoqoftë, Qeveria e Danimarkës tha se prapa këtyre akteve qëndron një “aktor profesionist”. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, ka thënë se është “kryesisht një shtet që paraqet kërcënim ndaj sigurisë së Evropës – ajo është Rusia”.
Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, tha para samitit se shkeljet e hapësirës ajrore janë bërë gjithnjë më të këqija dhe se “është e arsyeshme të supozohet se dronët po vijnë nga Rusia”.
Dronë ditëve të fundit janë parë edhe në qiellin e rajonit verior gjerman, Schleswig-Holstein, ndërsa fluturime janë shtyrë gjatë javës së kaluar në aeroportin e Vilniusit në Lituani dhe në aeroportin e Oslos në Norvegji për shkak të aktivitetit të dronëve.
“Nuk jemi në luftë, por nuk jemi më as në paqe. Duhet të bëjmë shumë më shumë për sigurinë tonë” – tha këtë javë kancelari gjerman në Düsseldorf.



