Pas dëmeve të shumta që ka shkaktuar stuhia në Kosovë, qytetarë të shumë komunave po përballen me probleme të shumta.
Komunat e prekura nga stuhia, tashmë kanë nisur krijimin e komisioneve për vlerësimin e dëmeve.
Në mesin e atyre që janë dëmtuar është edhe Komuna e Vitisë, me ç’rast kryetari i saj, Sokol Haliti ka vizituar disa nga qytetarët dhe vendbanimet e prekura.
Ai ka thënë se dëmet janë të mëdha, duke shtuar se komuna që ai udhëheq nuk ka mjete të mjaftueshme për kompensimin e tyre.
Për këtë, ai ka kërkuar veprime urgjente nga niveli qendror për t’u dalë në ndihmë banorëve.
“I bëj thirrje institucioneve të nivelit qendror që të ndërmarrin veprime urgjente dhe të sigurojnë fonde për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore. Dëmet janë të mëdha dhe tejkalojnë mundësitë financiare të komunës sonë, prandaj mbështetja e nivelit qendror është e domosdoshme.”, ka thënë Haliti.
Për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent, ai ka bërë të ditur se ka nxjerrë vendim për formimin e Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve.
“Njëkohësisht, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që kanë pësuar dëme në kulturat bujqësore, ekonomitë familjare apo prona të tjera, t’i raportojnë ato sa më parë pranë organeve kompetente të Komunës së Vitisë, në mënyrë që të përfshihen në procesin e vlerësimit.”, ka thënë ai.



