Talenti i Bayern Munichut viziton FFK-në, Erblin Osmani ndjek nga afër stërvitjen e Kosovës

Federata e Futbollit e Kosovës ka mirëpritur sot një nga talentet më premtues të futbollit evropian, Erblin Osmanin, i cili aktualisht është pjesë e klubit të njohur gjerman Bayern Munich.

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë për pushimet verore, Osmani vizitoi ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës, ku u njoh nga afër me aktivitetet dhe punën që zhvillohet brenda institucionit më të lartë të futbollit në vend.

Lajmin e ka bërë të ditur kreu i FFK, Agim Ademi, ku theksoi se Osmani pati mundësinë të ndjekë nga afër edhe seancën stërvitore të Kombëtares së Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke përjetuar atmosferën dhe përgatitjet e ekipit dardan për sfidat e ardhshme, transmeton Klankosova.tv.

“Vizita e tij është dëshmi e lidhjes së fortë mes talentëve kosovarë që po shkëlqejnë në futbollin evropian dhe rrënjëve të tyre në vendlindje. Erblini është shembull i gjeneratës së re që po e çon emrin e Kosovës në nivelet më të larta të futbollit botëror”, ka shkruar Ademi.

Erblin Osmani konsiderohet një nga futbollistët e rinj me potencial të madh për të ardhmen, ndërsa zhvillimi i tij te Bayern Munich shihet si një tregues i talentit që vazhdon të prodhojë Kosova në arenën ndërkombëtare.

Federata e Futbollit e Kosovës i ka uruar Osmanit suksese të mëtejshme në karrierën e tij, duke shprehur besimin se ai do të vazhdojë të përfaqësojë me dinjitet futbollin kosovar në skenën evropiane dhe më gjerë.

Latest news
Related news