Çmimi i Madh i Spanjës në Jerez solli një përzierje suksesi për njërin vëlla dhe zhgënjim të madh për tjetrin, ndërsa Alex Marquez siguroi fitore radhazi në këtë pistë.
Alex Marquez (Gresini Racing) vërtetoi edhe një herë se Jerezi është territori i tij, duke marrë fitoren me një avantazh prej 1.903 sekondash. Ndonëse gara nisi me vëllain e tij, Marc Marquez, i cili udhëhiqte nga “pole position”, dominimi i hershëm zgjati pak.
Alex, i cili e nisi nga vendi i pestë, parakaloi Marco Bezzecchi-n që në xhiron e parë dhe kreu një parakalim vendimtar ndaj Marc-ut në kthesën e 6-të, gjatë xhiros së dytë, transmeton Klankosova.tv.
Drama u intensifikua vetëm pesë kthesa më vonë, kur Marc Marquez pësoi një rënie me shpejtësi të lartë në kthesën e 11-të. “Baby Alien” nuk mundi ta vazhdonte garën, duke shënuar një tjetër të diel të vështirë për kampionin në fuqi në kërkim të fitores së parë GP për këtë sezon.
Alex Márquez (Gresini Ducati) kontrolloi ritmin nga xhiroja e dytë deri në fund për të marrë fitoren. Marco Bezzecchi (Aprilia Racing) u rendit i dyti duke mbrojtur kreun e kampionatit, ndërsa Fabio Di Giannantonio (VR46 Ducati) plotësoi podiumin pas një presioni të vazhdueshëm.
Jorge Martín mbrojti vendin e 4-t, ndërsa Ai Ogura bëri rikuperimin e ditës duke u ngjitur nga vendi i 11-të në të 5-tin. Për Pedro Acostan gara u dëmtua nga një përplasje e hershme që e la në vendin e 10-të, ndërkohë që Francesco Bagnaia u detyrua të tërhiqej në xhiron e 13-të për shkak të një defekti teknik.
Sa i përket renditjes në kampionat, Marco Bezzecchi largohet nga Spanja me 101 pikë, duke mbajtur një avantazh prej 11 pikësh ndaj Jorge Martin. Ngjitja në podium e Fabio Di Giannantonio-s e ka dërguar atë në vendin e tretë në renditjen e përgjithshme me 71 pikë.
Gara e radhës do të zhvillohet në pistën “Bugatti” në Le Mans, për çmimin e madh të Francës, më 10 maj.



