Sipas një raportimi të CNN, përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut po zhvillohen në Zvicër me pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara, Katarit, Pakistanit dhe Iranit, ndërsa vetë Libani, Izraeli dhe Hezbollahu nuk janë pjesë e drejtpërdrejtë e negociatave.
CNN raporton se Irani e ka vendosur çështjen e Libanit ndër prioritetet kryesore në bisedimet me SHBA-në, duke kërkuar ndërprerje të plotë të luftimeve në përputhje me pikën e parë të memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar më herët, transmeton Klankosova.tv.
Pas shpërthimit të luftimeve të premten, Irani shtyu pjesëmarrjen e tij në negociata. Më pas, Shtetet e Bashkuara njoftuan arritjen e një armëpushimi midis Izraelit dhe Hezbollahut. Megjithatë, pas rifillimit të përleshjeve të shtunën, Teherani deklaroi se do të mbyllte Ngushticën e Hormuzit.
Sipas CNN, përpjekjet e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu për ta mbajtur konfliktin në Liban të ndarë nga bisedimet amerikano-iraniane nuk kanë rezultuar të suksesshme. Negociatorët iranianë kanë arritur ta lidhin çështjen e Libanit me negociatat më të gjera me SHBA-në, duke bërë që presidenti amerikan, Donald Trump të ushtrojë presion ndaj Izraelit për ndërprerjen e operacioneve ushtarake.
Raporti thekson se Izraeli ka vazhduar sulmet në territorin libanez edhe pas marrëveshjes së arritur disa ditë më parë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, dhjetëra persona kanë humbur jetën nga sulmet izraelite gjatë kësaj periudhe.
Presidenti izraelit, Isaac Herzog ka kundërshtuar përfshirjen e Iranit në çështjen e Libanit. Në një intervistë për Fox News, ai deklaroi: “Irani nuk duhet të përfshihet fare në krizën në Liban. Bota duhet të ngrihet kundër kësaj dhe ta bëjë të qartë se Irani nuk mund të ketë rol në Liban”.Izraeli dhe Libani jashtë tryezës së negociatave me Iranin
Megjithatë, realiteti diplomatik aktual tregon se Irani ka fituar ndikim të konsiderueshëm në procesin negociues, ndërsa Izraeli dhe Libani mbeten jashtë tryezës së bisedimeve. Kjo ndodh në një kohë kur përfaqësues të të dy vendeve pritet të zhvillojnë takime në Uashington nën ndërmjetësimin e administratës Trump gjatë kësaj jave.



