Viti 2025 u mbyll me nivelin më të lartë të importeve të regjistruar ndonjëherë. Me mbi 7 miliardë euro importe, fatura e importeve preku rekord historik, duke nxjerrë në pah varësinë e vazhdueshme të tregut vendas nga mallrat e huaja. Ndërkohë, të dhënat për pesë muajt e parë të vitit 2026 tregojnë se kjo prirje mbetet e pandryshuar, me importet që po afrohen sërish me nivelin rekord të vitit paraprak. Për çdo euro që del nga eksportet, ekonomia vazhdon të shpenzojë shumë më tepër për mallra nga jashtë.
Krahasimi me vitin 2021 nxjerr në pah përmasat reale të zgjerimit. Atë vit, importet kapnin vlerën prej rreth 4.65 miliardë eurosh. Vetëm katër vjet më vonë, fatura e importeve është fryrë me më shumë se 2.35 miliardë euro, ose 50.57 për qind.

Burimi: Dogana e Kosovës.
Me fjalë të tjera, çdo vit që ka kaluar ka sjellë më shumë mallra të importuara dhe një barrë financiare gjithnjë e më të madhe për të përmbushur kërkesën e tregut vendor.
Rritja më e madhe u shënua në vitin 2022. Vetëm brenda një viti, importet u zgjeruan me rreth 954 milionë euro, ose 20.51% krahasuar me vitin paraprak. Vlera totale u ngjit nga 4.65 miliardë euro në rreth 5.60 miliardë euro, duke regjistruar kërcimin më të madh vjetor të gjithë periudhës.
Pas këtij hovi, viti 2023 solli një ngadalësim të përkohshëm. Importet u rritën me rreth 164 milionë euro, ose 2.93%, ritmi më i ulët i viteve të fundit. Megjithatë, kjo rezultoi vetëm një ndërprerje e shkurtër e trendit rritës.
Në vitin 2024, fatura e importeve u zgjerua sërish me rreth 561 milionë euro, ndërsa në vitin 2025 iu shtuan edhe mbi 672 milionë euro të tjera, duke e çuar për herë të parë totalin vjetor në pragun historik prej 7 miliardë eurosh.



