Raundi i parë i bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, i mbajtur në Burgenstock të Zvicrës, ka përfunduar pas rreth një ore e 20 minutash.
Pas përfundimit të takimit, delegacionet e të dy vendeve janë tërhequr për konsultime të brendshme, ndërsa deri më tani nuk janë bërë publike detaje mbi rezultatet konkrete të diskutimeve, raporton Anadolu, transmeton Klankosova.tv.
Para fillimit të bisedimeve, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance është shprehur optimist për arritjen e një marrëveshjeje diplomatike, duke theksuar se presidenti amerikan Donald Trump i ka dhënë delegacionit amerikan mandat të plotë për të trajtuar çështjet që prekin Lindjen e Mesme.
“Presidenti Trump na ka autorizuar të gjejmë një zgjidhje diplomatike për një numër çështjesh”, deklaroi Vance, duke shtuar se këto negociata mund të hapin rrugën për një transformim të marrëdhënieve në rajon.
Ai e cilësoi Iranin si një faktor destabilizues në Lindjen e Mesme, por theksoi se gjatë orëve të fundit është shënuar përparim i rëndësishëm në kontaktet diplomatike mes palëve.
Në të njëjtën linjë, Vance u shpreh se administrata amerikane synon të promovojë një armëpushim më të gjerë rajonal, duke përfshirë edhe ruajtjen e armëpushimit në Liban.
Nga ana tjetër, delegacioni iranian nuk ka dhënë deklarata pas përfundimit të takimit. Teherani ka përsëritur më herët se çdo marrëveshje me SHBA-në lidhet ngushtë me ruajtjen e paqes në Liban dhe respektimin e armëpushimit nga Izraeli.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghai, kishte deklaruar më herët se situata në Liban do të jetë një nga temat kryesore të diskutimeve, ndërsa në tryezë pritet të jenë edhe çështjet që lidhen me asetet iraniane dhe eksportet e naftës.
Ndërkohë, agjencia Fars ka raportuar se Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur për lundrimin e anijeve, duke cituar një burim ushtarak iranian.
Në lidhje me zhvillimet, kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, ka shprehur shpresën se bisedimet do të çojnë drejt një marrëveshjeje që do të kontribuojë në paqe, progres dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë.



