Gazetari sportiv Arlind Sadiku ka raportuar në lidhje direkte në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke sjellë detaje para finales së madhe të Kupës së Botës 2026 mes Argjentinës dhe Spanjës.
Sadiku ka thënë se në aspektin sportiv nuk priten shumë befasi, ndërsa vëmendjen më të madhe jashtë fushës e ka marrë ardhja e presidentit amerikan Donald Trump dhe masat e jashtëzakonshme të sigurisë të ndërmarra për këtë ngjarje.
Nuk pritet të ketë shumë befasi në fushë, më tepër befasi besoj do të ndodhë në mënyrën se si do të vijë dhe si do të përcillet presidenti i SHBA-së, Donald Trump. Këtu në Amerikë më së shumti është folur më shumë sesa për ndeshjen, për vizitën e presidentit Donald Trump dhe masat e sigurisë që janë marrë në këtë ndeshje”, ka deklaruar Sadiku.
Ai ka treguar se kontrollet për tifozët kanë qenë më të rrepta se në çdo ndeshje tjetër, pasi kjo është hera e parë që një president amerikan merr pjesë në një ndeshje të Kupës së Botës.
Katër orë para fillimit të ndeshjes janë hapur dyert e stadiumit dhe tifozët kanë filluar të hyjnë brenda, ndërsa kontrollet kanë qenë të jashtëzakonshme si në asnjë ndeshje tjetër, sepse është hera e parë që në një ndeshje të kampionatit botëror vjen presidenti Donald Trump”, ka thënë gazetari.
Sipas tij, vëmendje të madhe ka marrë edhe spektakli i përgatitur jashtë fushës, me performanca të artistëve të njohur, gjë që ka shkaktuar edhe kritika nga disa media.
Ka marrë tjetër vëmendje nga mediumet, sidomos angleze, pasi kanë akuzuar FIFA-n që ka prishur bukurinë e futbollit duke e zgjatur pushimin mes pjesëve, duke bërë pushime gjatë lojës dhe pauza komerciale që televizionet i kanë shfrytëzuar”, është shprehur Sadiku.
Duke folur për përballjen mes Argjentinës dhe Spanjës, Sadiku ka thënë se është e vështirë të përcaktohet favoritja në një finale të tillë, pasi të dyja skuadrat e kanë merituar të jenë në këtë fazë.
Ai ka mbështetur Argjentinën për shkak të Lionel Messit, duke thënë se një triumf i dytë radhazi në Botëror do të ishte një moment historik për yllin argjentinas.
Unë kam dëshirë që Argjentina ta fitojë këtë titull për Leo Messin, sepse të jesh 39 vjeçar dhe të kesh këtë apetit, këtë performancë dhe këtë nivel të lartë të futbollit është diçka e jashtëzakonshme”, ka deklaruar Sadiku.
Sipas tij, nëse Messi arrin ta ngrejë trofeun sonte, kjo mund të jetë edhe lamtumira e tij nga kombëtarja argjentinase.
Besoj që nëse Messi e ngrit trofeun sonte do të pensionohet nga futbolli, sidomos nga kombëtarja e Argjentinës. Ky do të jetë momenti kulminant që Messi i thotë lamtumirë Argjentinës dhe të bëhet lojtari i parë në histori të kampionatit botëror që e fiton dy herë rresht Kupën e Botës si kapiten”, ka përfunduar Sadiku.



