Trump paralajmëron marrëveshje me Iranin dhe hapje të Ngushticës së Hormuzit

Presidenti Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se marrëveshja e re me Iranin pritet të nënshkruhet nesër, ndërsa pas saj Ngushtica e Hormuzit do të hapet për lundrim për të gjitha vendet, duke shënuar një zhvillim të rëndësishëm në raportet ndërkombëtare dhe situatën në Lindjen e Mesme.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social “Truth Social”, Trump ka thënë se marrëveshja aktuale me Iranin është krejtësisht e ndryshme nga marrëveshja bërthamore e arritur gjatë administratës së ish-presidentit Barack Obama, e njohur si JCPOA, të cilën ai e ka kritikuar ashpër, transmeton Klankosova.tv.

Sipas tij, marrëveshja e mëparshme përbënte “një rrugë të lehtë dhe të rrezikshme drejt armës bërthamore”, ndërsa marrëveshja e re, siç tha ai, është “e kundërta”, duke e cilësuar si një mekanizëm që synon të bllokojë çdo mundësi të Iranit për të siguruar armë bërthamore.

“Faktikisht, ata nuk duan më armë bërthamore dhe nuk do të kenë një të tillë, qoftë përmes blerjes, zhvillimit apo ndonjë forme tjetër sigurie”, ka deklaruar Trump, duke shtuar se marrëdhëniet aktuale të SHBA-së me Iranin janë “më të mira dhe më ndryshe” se në të kaluarën.

Trump ka paralajmëruar se, në një fazë të mëvonshme, Shtetet e Bashkuara mund të ndërmarrin hapa për të siguruar dhe shkatërruar materialin bërthamor që ndodhet në objektet iraniane, pasi situata të jetë stabilizuar.

“Presim të punojmë me Iranin dhe me gjithë Lindjen e Mesme për një periudhë të gjatë në të ardhmen. Shpresojmë që ky proces të ecë shpejt dhe pa probleme, por nëse jo, ne kemi alternativën përfundimtare, e cila shpresojmë të mos përdoret kurrë”, ka deklaruar presidenti amerikan.

 

Latest news
Related news