Trumpi e quajti Rusinë “tigër prej letre”, Kremlini ia kthen: Rusia është arushë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka përdorur shprehjen e famshme, “tigër prej letre”, për ta përshkruar Rusinë në luftën kundër Ukrainës. Si reagoi Kremlini?

Pasi u takua dhe bisedoi me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Kombet e Bashkuara në Nju-Jork, presidenti amerikan tha përmes një shkrimi në rrjetin “Truth Social” se rikthimi në “kufijtë fillestarë nga ku nisi kjo luftë është shumë opsion”, duke iu referuar përpjekjeve të Ukrainës për t’i dëbuar forcat pushtuese ruse.

“Mendoj se Ukraina, me përkrahjen e Bashkimit Evropian, është në një pozicion që të luftojë dhe ta FITOJË tërë Ukrainën në formën e saj fillestare” – shkroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Sipas tij, “koha, durimi dhe përkrahja financiare e Evropës dhe e NATO-s në veçanti” mund ta ndihmojë Kievin që t’i rikthejë territoret e humbura, duke shtuar se Rusia është në “telashe ekonomike”.

Trumpi tha se forcat ruse kanë qenë “duke luftuar pa qëllim” për tre vjet e gjysmë dhe se, nëse Rusia do të kishte qenë “fuqi e vërtetë ushtarake”, do ta kishte mposhtur Ukrainën për më pak se një javë.

“Rusia nuk po shquhet për këtë. Në të vërtetë, kjo po i bën shumë ata që të duken si tigër prej letre” – shtoi presidenti amerikan.

Kremlini të mërkurën e shpërfilli këtë koment dhe tha se presidenti rus, Vladimir Putin, i vlerëson përpjekjet e homologut amerikan për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia është arushë, jo tigër, dhe se “nuk ekziston arushë prej letre”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Duke iu kundërpërgjigjur deklaratës së Trumpit, i cili tha se beson që Ukraina mund t’i rimarrë të gjitha territoret e kapura nga Rusia dhe se Kievi duhet të veprojë tani, Peskovi tha se ushtria ruse është duke avancuar në Ukrainë dhe se dinamikat në vijën e frontit janë të qarta.

Në lidhje me komenet e Trumpit se Moska po ballafaqohet me probleme ekonomike “të mëdha”, Peskovi tha se stabiliteti i ekonomisë ruse është i garantuar.

Latest news
Related news