Një çift i ri në provincën Aceh të Indonezisë u rrahën publikisht sot, pasi një gjykatë islamike e sheriatit i shpalli fajtorë për shkelje të ligjit islamik për puthjen gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në TikTok.
Një gjykatë sheriati në Aceh ka urdhëruar që një i ri dhe një grua e re të ndëshkohen me 21 goditje me kamzhik secili me një bastun prej ratani për shkak se janë puthur pa qenë të martuar.
Dënimi u krye në skenë në Parkun Bustanussalatin në qytetin Banda Aceh dhe u pa nga të paktën njëqind persona. Dënimi u krye nga një grup njerëzish të veshur me rroba me kapuç.
Burri 22-vjeçar dhe gruaja 25-vjeçare u arrestuan në prill pasi një video e transmetimit të tyre të drejtpërdrejtë nga 27 shkurti, që i tregonte ata duke u puthur në një makinë në Banda Aceh, u bë virale dhe nxiti raportime tek autoritetet lokale të Sharias.
Aceh është e vetmja provincë në Indonezinë me shumicë myslimane që zbaton një version të ligjit të Sheriatit islamik. Në vitin 2006, qeveria qendrore laike e Indonezisë i dha provincës të drejtën për të zbatuar legjislacionin fetar si pjesë e një marrëveshjeje paqeje që i dha fund luftës separatiste.


Dënimet e tyre u ulën sepse kaluan katër muaj në paraburgim.
Në vitin 2015, provinca e zgjeroi zbatimin e ligjit të Sheriatit edhe për jomuslimanët, të cilët përbëjnë rreth një përqind të popullsisë së Aceh-ut.
Ligji i Sheriatit parashikon deri në 100 goditje me kamzhik për vepra penale kundër moralit publik, duke përfshirë tradhtinë bashkëshortore dhe homoseksualitetin. Rrahja me kamzhik përdoret gjithashtu si ndëshkim për bixhozin, pirjen e alkoolit, gratë që veshin rroba të ngushta dhe burrat që humbasin lutjet e së premtes.
Çifti që u dënua sot fillimisht u dënua me nga 25 rrahje me kamzhik secili, por dënimet e tyre u reduktuan në 21 rrahje me kamzhik sepse ata kishin kaluar tashmë katër muaj në paraburgim. Gjykata gjithashtu sekuestroi një celular dhe një USB që përmbante transmetimin e drejtpërdrejtë të TikTok dhe urdhëroi shkatërrimin e tyre.
Po atë ditë, katër persona të tjerë u ndëshkuan publikisht për bixhoz online dhe tradhti bashkëshortore.
Amnesty International: Shkelje e të drejtave të njeriut
Organizata Amnesty International Indonesia dënoi rrahjen publike me kamzhik në Aceh, duke e konsideruar atë shkelje të të drejtave të njeriut, sepse një ndëshkim i tillë është mizor, çnjerëzor dhe poshtëron dinjitetin njerëzor.
“Një sjellje e tillë mund të konsiderohet e papërshtatshme sepse mediat sociale përdoren nga njerëz të të gjitha moshave, përfshirë fëmijët. Por a është një krim që meriton dënim me burg apo edhe rrahje me kamzhik? Kjo do të ishte e tepërt”, tha Drejtori Ekzekutiv i Amnesty International Indonesia, Usman Hamid.
Nga ana tjetër, banorja 22-vjeçare e Banda Aceh, Aini Nadhirah, e cila ishte dëshmitare e ekzekutimit, beson se ndëshkimi publik mund të shërbejë si paralajmërim për të tjerët.
“Sipas mendimit tim, kjo rrahje me kamzhik është plotësisht e justifikuar sepse shërben si një paralajmërim për banorët e tjerë të Açenit që të jenë më të kujdesshëm kur përdorin mediat sociale. Gjithashtu rrit ndërgjegjësimin se një sjellje e tillë është e papranueshme dhe edukon publikun”, tha Nadhirah. /Klankosova.tv



