Voziti në kahun e kundërt të autostradës, vdesin dy persona – tre fëmijë në luftë për jetën

Një aksident i rëndë trafiku në autostradën A45, pranë Florstadtit në rajonin Wetterau të Gjermanisë, ka përfunduar me pasoja tragjike.

Dy persona kanë humbur jetën, ndërsa tre fëmijë vazhdojnë të luftojnë për jetën në spital, njoftoi policia gjermane, raporton online.de, transmeton Klankosova.tv.

Sipas autoriteteve, ngjarja ndodhi rreth orës 01:52 të mëngjesit të së dielës, kur një grua 34-vjeçare nga Obernburgu hyri në autostradë në drejtimin e gabuar, duke lëvizur kundër rrjedhës së trafikut.

Pak minuta më vonë, automjeti i saj u përplas ballë për ballë me makinën e një 70-vjeçari nga Hageni, i cili po udhëtonte në mënyrë të rregullt nga Gießeni në drejtim të Hanaut.

Përplasja, e ndodhur me shpejtësi të lartë, ishte jashtëzakonisht e fortë. Të gjithë personat e përfshirë mbetën të bllokuar në automjetet e tyre dhe u desh ndërhyrja e zjarrfikësve për t’i nxjerrë.

Në makinën e 34-vjeçares ndodheshin edhe bashkëshorti i saj 39-vjeçar dhe tre fëmijët e tyre, të moshës 10 deri në 15 vjeç.

Shoferi 70-vjeçar humbi jetën në vendngjarje si pasojë e plagëve të marra, ndërsa drejtuesja e automjetit që po lëvizte në kahun e kundërt ndërroi jetë pak më vonë në spital.

Bashkëshorti i saj dhe tre fëmijët pësuan lëndime shumë të rënda. Disa prej tyre u transportuan me helikopterë të emergjencës në spitale të ndryshme. Sipas policisë, tre fëmijët vazhdojnë të jenë në gjendje kritike.

Prokuroria e Gießenit ka angazhuar një ekspert për të zbardhur rrethanat e sakta të aksidentit. Gjatë hetimeve dhe operacionit të shpëtimit, autostrada A45 u mbyll plotësisht për qarkullim, ndërsa trafiku u devijua në rrugë alternative.

Latest news
Related news