Wrexhami i vogël synon transferimin e madh nga Man United

Klubi anglez Wrexham, i cili ka përjetuar një ngritje të jashtëzakonshme në futbollin anglez nën pronësinë e yjeve të Hollywoodit, Ryan Reynolds dhe Rob McElhenney, raportohet se ka bërë përpjekje për të transferuar mesfushorin danez Christian Eriksen, ish-yllin e Manchester United.

Pas tri sezoneve të suksesshme që e kanë çuar klubin nga Liga Kombëtare deri në Championship, objektivi i madh tashmë është promovimi në Premier League.

Për ta arritur këtë, drejtuesit kanë investuar fuqishëm në skuadër, duke sjellë emra të njohur si portieri i Uellsit, Danny Ward, dhe mbrojtësi i majtë nga Zelanda e Re, Liberato Cacace – ky i fundit në një marrëveshje rekord për klubin.

Megjithatë, sipas të përditshmes britanike “The Mirror”, Wrexham ka bërë një hap edhe më të guximshëm, duke tentuar transferimin e Christian Eriksenit, përfaqësuesit të Danimarkës dhe një prej mesfushorëve më kreativë të dekadës së fundit.

Një lëvizje e tillë do të përbënte transferimin më të madh në historinë e klubit nën udhëheqjen e Reynolds dhe McElhenney.

Sipas raportimeve të “The Mirror”, klubi anglez Wrexham ka tentuar tashmë të transferojë mesfushorin danez Christian Eriksen, i cili aktualisht është lojtar i lirë në treg.

33-vjeçari, i cili sezonin e kaluar realizoi 19 paraqitje si titullar dhe 16 si zëvendësues në të gjitha garat, nuk ka qenë asnjëherë zgjedhja e parë e trajnerit Ruben Amorim, çka çoi në vendimin që largimi i tij të planifikohej me kohë.

Agjenti i Eriksenit ka qenë aktiv në gjetjen e një destinacioni të ri për lojtarin me përvojë.

Pavarësisht përpjekjeve serioze nga Wrexham dhe një propozimi që thuhet se e ka “impresionuar” mesfushorin, Eriksen ka vendosur ta refuzojë ofertën për t’u bashkuar me klubin uellsian.

Ky vendim përbën një goditje për ambiciet e mëdha të Wrexhamit, të cilët synonin të shtonin klas dhe përvojë në mesin e fushës në përpjekjen e tyre për ngjitje në Premier League. /Klankosova.tv

The post Wrexhami i vogël synon transferimin e madh nga Man United appeared first on Klan Kosova.

Latest news
Related news