Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën dhe 38 të tjerë janë plagosur si pasojë e një serie të shtënash me armë zjarri që kanë tronditur qytetin e Çikagos që nga mbrëmja e së premtes, sipas të dhënave të policisë lokale.
Ngjarjet e dhunshme kanë nxitur reagimin e presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka përsëritur thirrjet për një ndërhyrje ushtarake në qytetin e tretë më të madh të Shteteve të Bashkuara, raporton ABC News.
Në një postim në rrjetin social Truth Social të dielën në mëngjes, Trump kritikoi guvernatorin e Illinois, J. B. Pritzker, duke deklaruar se mund ta kthente Çikagon në një nga qytetet më të sigurta të vendit brenda një viti.
Zyra e guvernatorit Pritzker nuk ka reaguar menjëherë ndaj deklaratave të presidentit. Pritzker, i cili konsiderohet një figurë e mundshme e demokratëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, ka kundërshtuar vazhdimisht propozimet e Trumpit për vendosjen e forcave ushtarake në qytet.
Sipas statistikave të Departamentit të Policisë së Chicago, numri i incidenteve me armë zjarri ka shënuar një rritje të lehtë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, autoritetet theksojnë se niveli i krimeve të dhunshme në qytet ka qenë në rënie gjatë viteve të fundit, në përputhje me tendencat kombëtare.Të dhënat paraprake tregojnë se që nga ora 17:00 e së premtes janë regjistruar të paktën 24 incidente me armë zjarri. Mes viktimave janë një 21-vjeçar i qëlluar në gjoks të dielën, një 18-vjeçar i qëlluar në zonën e sqetullës të shtunën në mbrëmje dhe një 50-vjeçar i qëlluar në gjoks të premten.
Një nga ngjarjet më të rënda ndodhi të premten në mbrëmje, kur persona të armatosur hapën zjarr ndaj një turme njerëzish nga një automjet SUV. Si pasojë, 12 persona u plagosën me armë zjarri.Të plagosurit, tetë burra dhe katër gra të moshës nga 17 deri në 47 vjeç, u transportuan për trajtim në katër spitale të ndryshme. Policia bëri të ditur se edhe një person tjetër pësoi lëndime, por refuzoi ndihmën mjekësore.
Autoritetet vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të sulmeve, ndërsa shqetësimet për sigurinë publike në qytet mbeten të larta.



