Portieri i Real Madridit, Thibaut Courtois, ka folur hapur për të ardhmen e tij, duke shprehur dëshirën që të vazhdojë të jetë pjesë e klubit madrilen edhe për disa vite të tjera.
Në një intervistë ekskluzive për “Onda Cero”, gardiani belg theksoi se synimi i tij është ta përfundojë karrierën në “Santiago Bernabeu”, klub ku ka ndërtuar një nga periudhat më të suksesshme të karrierës së tij, transmeton Klankosova..
“Dua të qëndroj edhe katër ose pesë vite të tjera te Real Madridi dhe ta mbyll karrierën këtu”, deklaroi Courtois.
Portieri 33-vjeçar zbuloi gjithashtu një detaj interesant lidhur me të ardhmen e tij, duke bërë të ditur se kishte rinovuar kontratën me klubin vitin e kaluar në mënyrë krejtësisht të fshehtë, pa u bërë publike në media.
Që nga transferimi i tij te Real Madridi, Courtois është shndërruar në një nga figurat më të rëndësishme të skuadrës, duke regjistruar deri më tani 333 paraqitje zyrtare me fanellën e klubit mbretëror.
Përveç planeve me Real Madridin, portieri belg foli edhe për karrierën e tij me Kombëtaren e Belgjikës. Ai la të kuptohet se Kampionati Botëror që po zhvillohet aktualisht mund të jetë turneu i fundit madhor me fanellën e përfaqësueses belge.
Deklaratat e Courtois konfirmojnë dëshirën e tij për të vazhduar të jetë pjesë e projektit të Real Madridit, ndërsa në të njëjtën kohë sinjalizojnë se fundi i aventurës së tij me Belgjikën mund të mos jetë larg.



