Kthimi i emrave të vjetër të rrugëve, BDI-ja i jep ultimatum Komunës së Tetovës

Bashkimi Demokratik për Integrim i ka dhënë ultimatum treditorë Komunës së Tetovës për të thirrur seancë urgjente të Këshillit për rimiratimin e vendimit për emrat e rrugëve të qytetit.

Në të kundërtën, nga BDI-ja e Ali Ahmetit kanë thënë se do të kalohet në protesta ose do të organizohet referendum.

“Nëse Komuna e Tetovës do të shpreh gatishmëri që të rimiratojë këtë vendim për të thirr një seancë të jashtëzakonshme, do të ketë mbështetjen e plotë të këshilltarëve tanë, por nëse komuna do të refuzojë kërkesën tonë, atëherë do të konsiderojmë se komuna e Tetovës është bashkautorë i këtij vendimi skandaloz të Gjykatës Kushtetuese.”, ka thënë Bajram Rexhepi nga BDI.

Ndërkohë, nga Komuna e Tetovës kanë thënë se vendimi i Kushtetueses për kthimin e emrave të vjetër është bërë në koordinim me BDI-në.

“Vendimi i Kushtetueses është i orkestruar pikërisht nga ata për të pasur tensione ndëretnike në vend. BDI pati pushtet 20 vite për t’i rregulluar punët përfshi edhe ndryshimin e emrave të rrugëve shesheve apo institucioneve, por nuk e bënë deri më tani. Një vendim që ata kanë marrë në vitin 2007, nuk e kanë çuar deri në fund sepse është dashur ta miratoj Qeveria”, ka thënë Albion Alili, zëdhënës i Komunës së Tetovës.

Autoritetet komunale sigurojnë se pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Komuna do të vazhdojë t’i përdorë emrat shqip, të miratuara në këshillin komunal në vitin 2007.

Komuna e Tetovës është zotuar se së shpejti komisioni i formuar për ndryshimin e emrave të rrugëve dhe emërtimin e rrugëve pa emra, do të del me zgjidhje konkrete.

Ditë më parë, Gjykata Kushtetuese në Maqedoni të Veriut ka vendosur që të rikthejë emrat e vjetër të rrugëve, shesheve dhe bulevardeve në Tetovë, duke hequr emrat shqip dhe duke i zëvendësuar me emra të tjerë, përfshirë edhe ata ish-jugosllavë. /Klankosova.tv

Latest news
Related news