Administrata Trump rrezikon ndjekje penale për deportime

Një gjykatës federal në Shtetet e Bashkuara ka thënë se ekzistojnë arsye të forta për të ndjekur penalisht administratën e presidentit Donald Trump për mosrespektim të urdhrave të gjykatës. Ky vendim vjen pas një rasti të bujshëm ku janë deportuar migrantë drejt El Salvadorit, pavarësisht një urdhri të qartë për ndalimin e këtij veprimi.

Gjykatësi James Boasberg ka konstatuar se më 13 mars, administrata ka përdorur një ligj të diskutueshëm të quajtur Alien Enemies Act për të dëbuar shtetas të Venezuelës, të dyshuar si pjesëtarë të bandave kriminale. Po atë ditë, ai kishte urdhëruar pezullimin e deportimeve dhe kthimin e migrantëve në SHBA, por urdhri nuk ishte respektuar, raporton CNN.

“Veprimet e administratës atë ditë tregojnë një shpërfillje të qëllimshme të urdhrave të gjykatës,” shkroi gjykatësi Boasberg në vendimin e tij me 46 faqe, duke shtuar se “ka arsye të forta për përbuzje penale.”

Ai paralajmëroi se nëse administrata nuk i kthen personat e deportuar në SHBA, çështja mund të dërgohet për ndjekje penale. Nëse Departamenti i Drejtësisë nuk vepron, Boasberg tha se do të emërojë një prokuror tjetër për të ndjekur rastin.

Njohës të drejtësisë në SHBA e cilësojnë këtë zhvillim si tejet të rrallë dhe me pasoja të mëdha. Avokatët nga organizatat që ngritën padinë, përfshirë ACLU dhe Democracy Forward, thanë se vendimi i gjykatës tregon qartë se sjellja e administratës ka qenë e paligjshme dhe përbën kërcënim për të drejtat dhe liritë themelore.

Latest news
Related news