Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka thënë se lajmi se Shtetet e Bashkuara e kushtëzojnë rifillimin e Dialogut Strategjik me Kosovën me përmbushjen e zotimeve të marra duhet të shërbejë si një alarm serioz për institucionet tona.
Përmes, një reagimi në faqen e tyre zyrtare në rrjetin social Facebook, AKB vlerëson se SHBA-ja ka qenë dhe mbetet aleati më i rëndësishëm i Kosovës në rrugën drejt lirisë, shtetndërtimit dhe konsolidimit ndërkombëtar.
Aleanca Kosovara e Bizneseve, vlerësonse çdo ftohje e marrëdhënieve me partnerët strategjikë ndikon jo vetëm në aspektin politik, por edhe në klimën ekonomike, besimin e investitorëve dhe perspektivën zhvillimore të vendit.
Postimi i plotë:
Kosova nuk guxon ta humbasë besimin e aleatit të saj më të madh – SHBA-së
Lajmi se Shtetet e Bashkuara e kushtëzojnë rifillimin e Dialogut Strategjik me Kosovën me përmbushjen e zotimeve të marra duhet të shërbejë si një alarm serioz për institucionet tona. SHBA-ja ka qenë dhe mbetet aleati më i rëndësishëm i Kosovës në rrugën drejt lirisë, shtetndërtimit dhe konsolidimit ndërkombëtar.
Aleanca Kosovara e Bizneseve, vlerëson se çdo ftohje e marrëdhënieve me partnerët strategjikë ndikon jo vetëm në aspektin politik, por edhe në klimën ekonomike, besimin e investitorëve dhe perspektivën zhvillimore të vendit. Biznesi ka nevojë për stabilitet, partneritet dhe besueshmëri ndërkombëtare.
Kosova duhet të mbrojë sovranitetin dhe rendin kushtetues, por njëkohësisht të ndërtojë politika të mençura, të koordinuara me aleatët dhe të respektojë obligimet që ka marrë në proceset ndërkombëtare.
Diplomacia nuk është dobësi; ajo është mjeti më i fuqishëm për të mbrojtur interesin shtetëror.
Interesi i Republikës së Kosovës duhet të jetë gjithmonë mbi interesat politike dhe partiake. Vetëm përmes unitetit, përgjegjësisë institucionale dhe partneritetit të fortë me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë mund të sigurojmë një të ardhme më të sigurt, më të zhvilluar dhe më të begatë për qytetarët e Kosovës.
Urtësia dhe forca e një shteti nuk qëndron vetëm në mbrojtjen e sovranitetit, por edhe në aftësinë për të ruajtur besimin e aleatëve. Miqësitë strategjike ndërtohen me përgjegjësi, dialog dhe respekt ndaj zotimeve të marra tha ne fund Agim Shahini kryetar i AKB-ës.



