Pas dështimit të kryeministri në detyrë, Albin Kurti për një marrëveshje deri tash me liderët e partive të ish-opozitës për bisedime për formimin e institucioneve, nuk dihet se çka do të ndodhë më tutje.
Azdren Shala i ftuar në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova tha se Kosova është më mirë të vazhdojë me një cikël zgjedhor se sa të mbetet nën udhëheqjen e Kurtit.
“Bëj pjesë te ata, nuk e di se sa njerëz mendojnë si unë në Kosovë që më mirë me shku në një cikël pambarim zgjedhor se sa me pasë Albin Kurtin në pushtet, qoftë edhe me një partner të koalicionit të cilin e dirigjon siç është LDK aktualisht. Dëmet sigurisht, Qeveria mbet në detyrë, gjithmonë është e kufizuar duke u bazuar në ligjin e qeverisjes, mirëpo me Kurtin kryeministër me mandat të plotë pavarësisht se kë e ka mandat të koalicionit sepse ata i ka të përkohshëm atëherë Kosova ka me marrë hapa më të rrezikshëm”, tha ai.
Në anën tjetër, Elena Uka tha se Kurti gjithmonë e ka pasur cak shkatërrimin e LDK-së.
“Nuk ka mundësi që i merr 60% Albin Kurti, por mundësia e vetme se qysh i mbërrin 60% Albin Kurti është shpërbërja e LDK-së. Ata që e njohin Albin Kurtin e dinë që gjithmonë cak e ka pasur LDK-në. Realisht PDK-në Kurti e respekton, por LDK-në aspak”, tha Uka.
Kurse Sali Rexhaj tha se Aleanca ka shprehur qëndrim të qartë lidhur me formimin e institucioneve të reja.
“Vendimet e Aleancës i ka shpreh kryetarit, janë ato 6 pikat ato janë të betonuara, nuk ka kërkuar Gjini asnjë post asnjë privilegj vetëm ato 6 pika të cilat janë të thjeshta”, tha Rexhaj.



