Mbeturinat vazhdojnë të shqetësojnë qytetarët e Prishtinës: Ankesa të shumta në “Fol me Arin” (VIDEO)

Situata me grumbullimin e mbeturinave vazhdon të jetë një ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve të Prishtinës.

Gjatë emisionit “Fol me Arin” në Klan Kosova FM, sot janë pranuar dhjetëra ankesa nga qytetarë të ndryshëm, të cilët kanë raportuar se mbeturinat nuk janë larguar prej javësh.

Disa prej tyre kanë deklaruar se në lagjet ku banojnë kontejnerët nuk janë zbrazur për deri në katër javë.

Sipas qytetarëve, grumbujt e mbeturinave kanë shtuar praninë e qenve endacakë, duke krijuar pasiguri për banorët.

Ata theksojnë se, përveç rrezikut nga qentë, temperaturat e larta kanë përkeqësuar situatën, pasi kundërmimi i mbeturinave është bërë i padurueshëm.

Qytetarët shprehen se, ndonëse kanë adresuar vazhdimisht ankesa tek institucionet përgjegjëse, situata mbetet e pandryshuar dhe problemet vazhdojnë.

Ekipi i emisionit “Fol me Arin” vazhdon çdo ditë t’i përcjellë ankesat e qytetarëve tek Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi”, si dhe tek Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, me qëllim që shqetësimet e tyre të trajtohen dhe të gjenden zgjidhje sa më të shpejta.

Latest news
Related news