Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), e përfaqësuar nga kryetari i saj, Agim Shahini, po merr pjesë në aktivitetin ndërkombëtar “Peer Learning Activity”, të organizuar nga Bashkimi Evropian, Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) dhe European Training Foundation (ETF), që po mbahet në Bruksel.
Në këtë aktivitet marrin pjesë përfaqësues të qeverive, organizatave të punëdhënësve, sindikatave dhe partnerëve socialë nga EU dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Ukraine, Moldavia dhe Maroku.
AKB është organizata e vetme e punëdhënësve nga Kosova e përzgjedhur për të marrë pjesë në këtë aktivitet ndërkombëtar, duke përfaqësuar zërin e sektorit privat dhe të komunitetit të biznesit të Kosovës në diskutimet për politikat e punësimit të të rinjve dhe dialogun social.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, thot se përfaqësimi i AKB-së në këtë forum është një vlerësim i lartë për rolin që organizata jonë ka në dialogun social dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Përvojat dhe praktikat më të mira evropiane që po prezantohen në Bruksel do t’i përcjellim dhe promovojmë edhe në Kosovë, me synim krijimin e më shumë mundësive për punësimin e të rinjve dhe forcimin e partneritetit ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat.
AKB vlerëson se pjesëmarrja në këtë aktivitet forcon pozitën e Kosovës në dialogun evropian për tregun e punës dhe dëshmon se organizatat e punëdhënësve kanë një rol kyç në hartimin dhe zbatimin e politikave për zhvillim ekonomik dhe punësim të qëndrueshëm.



